Vijëzimet me ngjyra të këmbësorëve

09/01/2017 00:00

Diku me ngjyra të forta që tërheqin instiktivisht vëmendjen, diku të bardha e të kuqe, ndërsa diku tjetër, si në kryqëzimin pranë Liceut Artistik, me nota muzikore.

Janë vijëzimet e reja për këmbësorët, të cilat që prej disa muajsh kanë tërhequr vëmendjen e qytetarëve, pasi nuk janë vijëzime të zakonshme. Gjithçka është bërë me qëllimin e rritjes së ndjeshmërisë së kalimtarëve, qëllim të cilit kur i shton edhe ngjyra, i jep Tiranës një tjetër pamje.

“Janë vijëzimet e reja që kemi praktikuar për Tiranën, me ngjyra. Duke përdorur ngjyra të theksuara, të veçanta, ne tërheqim vëmendjen e këmbësorëve dhe i bëjmë që të kalojnë aty ku duhet të kalojnë realisht, pra ka edhe sensin e edukimit brenda. Por, nga ana tjetër ka edhe sensin e dinamikës së ngjyrës. Tirana është shumë gri, ç’është e vërteta, e ne po mundohemi t’i japim jetë Tiranës. Po mundohemi që në një kohë dimri, siç jemi tani, të sjellim pak pranverë në Tiranë duke vijëzuar me ngjyra të ndryshme disa kryqëzime kryesore”, tha Elton Kacidhja, drejtor i Ndërmarrjes Nr.2, Bashkia Tiranë.

Vijëzimet janë bërë në përputhje me Kodin dhe Sinjalistikën Rrugore.

“E vetmja risi është ngjyra. E bardha është, që është edhe baza, pastaj janë futur elementë të tjerë të ngjyrës, që e kanë bërë më ndryshe, më të veçantë vijëzimin. Por në përputhje dhe në zbatim të Kodit dhe rregullave që parashikon ligji”, tha më tej Elton Kacidhja.

Ndonëse do të duhet pak kohë, – shton drejtuesi i Ndërmarrjes Nr. 2 në Bashkinë e Tiranës, – risitë në vijëzime do të ulin ndjeshëm numrin e aksidenteve të ndodhura, si pasojë e mosrespektimit të sinjalistikës nga ana e këmbësorëve.

Top Channel