Jezusi rreh babanë, shkak motra që doli të blinte akullore

09/01/2017 00:00

“Im bir, Jezusi, ushtron dhunë ndaj vajzës dhe ndaj meje”. I tillë ka qenë denoncimi i babait për të birin në Komisariatin Nr. 4 të policisë së kryeqytetit.

Kërcënimet ndaj të bijës dhe dhuna fizike e ushtruar kanë detyruar babain të denoncojë të birin, Jezus Pane. Nga hetimi dhe shqyrtimi gjyqësor i kësaj çështjeje rezultoi se, 20-vjeçari kishte mosmarrëveshje me të atin, pasi ky i fundit lejonte të motrën të dilte jashtë.

E ngjashme ka qenë edhe situata që e detyroi të atin ta denonconte. Sipas dëshmisë së babit, ai i kishte dhënë leje vajzës që të dilte të blinte një akullore, kur në këto momente, në banesën që ndodhet në periferi të Tiranës ka mbërritur Jezusi, i cili i ka kërkuar llogari të atit se përse e kishte lënë të dilte të motrën.

“Jezusi doli nga banesa për ta kërkuar motrën, unë e ndoqa dhe e gjeta duke e kërcënuar. Në shtëpi ka tentuar ta godasë, por kam ndërhyrë unë dhe përleshja ka vijuar me mua, duke më çarë në vetull”, ka qenë dëshmia e babait të Jezusit përpara gjykatës.

Ndërsa vet i pandehuri ka deklaruar se, frika se mos ia ngacmonin të motrën jashtë banesës ishte arsyeja e mosmarrëveshjeve. Por, nga ana tjetër, kjo “frikë” dhe aktet e dhunës që pasonin, i kanë kushtuar atij në një moshë të re plot një vit burgim, të cilin është duke e vuajtur që nga fundi i dhjetorit të vitit të kaluar.

Top Channel