Paditet Dekriminalizimi, Elvis Rroshi kërkon shfuqizimin e ligjit

09/01/2017 00:00

Gjykata Kushtetuese është vënë sërish në një provë të fortë. Pas vendimmarrjes për ligjin e vettingut, që prek njerëzit e drejtësisë, tani, asaj i duhet të vendosë për ligjin e dekriminalizimit që prek politikanët dhe zyrtarët me rekorde kriminale.

Elvis Rroshi, kryetari i shkarkuar i Bashkisë së Kavajës për shkak të Dekriminalizimit, i ka kërkuar gjykatës të shpallë antikushtetutes nenet kryesore të këtij ligji, ndër më të debatuarit e Parlamentit shqiptar.

Avokati Theodhori Sollaku shpjegoi arsyet përse kërkoi shfuqizimin e nenit që solli shkarkimin e Rroshit, si dhe dy vendimet që e pasuan, atë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të Këshillit të Ministrave.

“Kufizimi i së drejtës lejohet sipas nenit 17 të Kushtetutës, mohimi për jetë i së drejtës për t’u zgjedhur është një shkatërrim i kësaj të drejte. Është një mohim total dhe ne mendojmë se në këtë rast jemi në kushtet e antikushtetueshmërisë së ligjit”, deklaroi Sollaku.

Por ka edhe një kërkesë të katërt që ka të bëjë me shqyrtimin tërësor të ligjit të dekriminalizimit, i cili është komentuar herë pas here si një ligj në kufijtë e kushtetueshmërisë.

“Ne nuk paragjykojmë se ç’do të ndodhë, do ketë presione apo kërcënime, por shpresojmë që Gjykata Kushtetuese të ketë profesionalitetin që të japë një vendim sipas Kushtetutës dhe së drejtës europiane të njeriut”, shtoi Sollaku.

Ligji i dekriminalizimit u mirtaua dy vjet më parë pas një marrëveshjeje të vështirë mes qeverisë dhe opozites, me ndërmejtësim ndërkombëtar, pasi Partia Demokratike e bojkotoi për gati 6 muaj Parlamentin dhe tani ajo e ka risjellë në vëmendje zbatimin e këtij ligji si një kusht kryesor për zgjedhjet e qershorit.

Top Channel