Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov mandatoi udhëheqësin e VMRO-DPMNE-së për krijimin e qeverisë së re të vendit. Data 9 janar shënonte edhe afatin e fundit, kur kreu i shtetit duhet t’i jepte “dritën jeshile” krijimit të ekzekutivit, partisë që siguroi numrin më të madh të votave në zgjedhjet e parakohshme të 11 dhjetorit.

VMRO-DPMNE-ja ka marrë 51 mandate, në një kohë kur për të qeverisur do t’i duhen 61 të tilla, ndaj partia e Gruevskit duket e destinuar të kërkojë afrimin e shqiptarëve në një koalicion qeveritar.

BDI, Besa dhe Aleanca për Shqiptarët njoftuan më 7 janar platformën e përbashkët, e cila do të shërbejë si bazë e tyre në negociatat për krijimin e ekzekutivit të ri maqedonas.

Axhenda politike e 3 partive shqiptare parashikon barazi gjuhësore, përdorimin e gjerë të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, barazi ekonomike, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të emrit me përfshirjen e shqiptarëve në grupin e punës të ngritur për bisedime me Greqinë, si dhe për integrimin në NATO dhe Bashkimin Europian.

Kryeministri i caktuar tashmë ka 20 ditë për të dorëzuar programin qeverisës dhe formimin e kabinetit, e më pas qeveria zgjidhet nga shumica e Parlamentit, i cili zhvilloi sesionin konstituiv më 30 dhjetor, e përfshin 51 deputetë nga VMRO-DPMNE-ja, e ndjekur më pas nga 49 deputetët e LSDM-së, BDI-ja me 10, Besa me 5 dhe Aleanca për Shqiptarët 3. Ndërkohë që PDSH-ja e ish-kreut Menduh Thaçi mori dy mandate deputetësh.

Top Channel