Iran, homazhe për ish-presidentin Rafsanjani dhe 3 ditë zie

09/01/2017 00:00

Kreu suprem i Iranit, ajatollah Ali Khamenei ka udhëhequr homazhet ndaj ish-presidentit Akbar Hashemi Rafsanjani, i cili ndërroi jetë një ditë më parë në moshën 82-vjeçare. Khamenei lavdëroi “shokun e luftës” pavarësisht diferencave të theksuara mes tyre, duke thënë se kjo përbën një humbje të madhe.

Presidenti Hassan Rouhani e lavdëroi gjithashtu Rafsanjanin si një njeri të madh të revolucionit islamik. Qeveria iraniane ka shpallur 3 ditë zie, duke e bërë të martën ditë pushimi për shkak se do të zhvillohet funerali i tij në Teheran.

Rafsanjani, i cili mbajti postin e presidentit nga viti 1989 deri në 1997-n ishte një prej njerëzve më të rëndësishëm të revolucionit të vitit 1979, por në vitet e fundit të jetës së tij ai u bë një kritik i konservatorëve të linjës së ashpër.

“Mendimet dhe interpretimet e ndryshme përgjatë viteve, në këtë periudhë të gjatë, nuk mund të prishnin krejtësisht miqësinë tonë”, tha ajatollah Khamenei.

Rafsanjani u nda nga jeta të dielën, në një spital të Teheranit, pasi pësoi atack kardiak. Trupi i tij është dërguar në sallën e lutjeve Jamaran, rezidenca e themeluesit të Republikës Islamike, ajatollah Rohullah Khomeini, ku të afërm, politikanë dhe figura fetare u mblodhën për t’i bërë homazhet dhe nderet e fundit.

Rafsanjani ka shërbyer edhe si mentor i presidentit Rouhani, të cilin e mbështeti pas përpjekjes së vet atij për të garuar në zgjedhjet e vitit 2014, si një kandidat reformist i refuzuar nga Këshilli i fuqishëm i Mbrojtjes.

Rouhani shkroi në Tëitter pasi mësoi vdekjen e tij. “Shpirti i një njeriu të madh të revolucionit, simbol i durimit dhe rezistencës, tashmë ka shkuar në Parajsë”. Analistët shprehen se vdekja e papritur e Rafsanjanit është një goditje e madhe për presidentin e Iranit, i cili përgatitet për t’u rizgjedhur në maj. Gjatë viteve të fundit, siç shprehen korrespondentët e BBC-së, ai ka qenë një figurë qendrore në lëvizjen reformiste që është përpjekur të ketë një ndikim të moderuar mbi Iranin dhe ajatollah Khamenein.

Posti i fundit i Rafsanjanit ka qenë ai i kreut të Këshillit të Përshtatshmërive, që përpiqet të zgjidhë mosmarrëveshjet mes Parlamentit dhe Këshillit të Mbrojtjes. Akbar Hashemi Rafsanjani u lind në vitin 1934 në juglindje të Iranit nga një familje fermerësh. Ai studioi për Teologji në qytetin e shenjtë të Qomit, me ajatollah Ruhollah Khomeini, i cili udhëhoqi më pas revolucionin islamik të vitit 1979, e më pas u burgos disa herë nën regjimin e Shahut. Në vitin e fundit të luftës me Irakun ’80-’88, ajatollah Khomeini e emëroi atë si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Ai është konsideruar si forca kryesore lëvizëse pas pranimit nga Irani të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që i dha fund luftës.

Top Channel