“FIFA The Best” nën drejtimin e Eva Longorias

09/01/2017 00:00

Sot në Zyrih do të  zhvillohet ceremonia e dorëzimit të çmimit “FIFA The Best” për futbollistin më të mirë të vitit, ku gara është mes Kristiano Ronaldos, Lionel Mesit dhe Antuan Grizmanit, me portugezin favorit.

Në mbrëmjen gala të organizuar me këtë rast do të ketë një rol protagonisteje Eva Longoria, e cila është gjithashtu edhe regjisore e producente. Aktorja Longoria e fitoi famën e saj falë serialit televiziv “Shtëpiake të Dëshpëruara”, ku ajo interperoi rolin e Gabrielës. Por jo vetëm kaq, Eva Longoria jo pak herë ka qenë edhe në faqet e para të kronikave rozë, për shkak të martesës dhe më pas divorcit me basketbollistin e San Antonio Spurs, Toni Parker.
 
Përkrah Eva Longorias, në ceremoninë e “FIFA The Best” do të jetë moderatori Marko Shrejl. Ky i fundit ka një eksperiencë 10-vjeçare në fushën e prezantimit të spektakleve, pasi ka qenë moderator i versionit gjerman të “talentshoë”-ve të tillë si “Pop Idol” apo “Go Talent”. Por jo vetëm kaq, Shrejl ka eksperiencë edhe në komentin e eventeve sportive si Lojërat Olimpike të Athinës në vitin 2004 apo ndeshjeve të Bundesligës, Ligës së Kampioneve e Europa League.

Spektakli nuk do të mungojë në ceremoninë e çmimeve “FIFA The Best”, ku të ftuar janë banda amerikane “Naturally 7” si dhe këngëtari anglez Xhulian Perreta. Në mbrëmjen gala të  Zyrihut, përveç emrit të futbollistit më të mirë, do të mësohen edhe emrat e lojtares më të mirë të vitit si dhe trajnerit më të mirë. Në këtë kategori të fundit, finalistët janë Zinedin Zidan, Fernando Santos dhe Klaudio Ranieri.

Top Channel