Acari në Itali, shtyhet rifillimi i mësimit. Në botë shtohen viktimat

09/01/2017 00:00

I ftohti ekstrem e ka vënë në vështirësi Ministrinë italiane të Arsimit. Drejtuesit e disa shkollave, sidomos në provincat jugore të vendit, e kanë shtyrë kthimin e nxënësve në klasë për shkak të ngricave.

Ministrja Valeria Fedeli shpjegoi në rrjete sociale se, veprimi i tyre ka qenë i përgjegjshëm e ka pasur për qëllim shmangien e çdo rreziku të mundshëm.

Në Romë, fëmijët do të ulen nëpër banka me xhupa, shall e kapuçë në kokë. Pas pushimeve të zgjatura të fundvitit, prindërit janë këshilluar të marrin parasysh temperaturat e ulëta, e t’i veshin fëmijët në mënyrë të përshtatshme kur t’i çojnë në mësim.

Kjo, pavarësisht operacionit “shkolla të ngrohta”, nismë e kryebashkiakes Virginia Raggi, i cili parashikon ndezjen e ngrohëseve disa orë përpara fillimit të mësimit. Megjithatë, masa konsiderohet e pamjaftueshme, duke qenë se është vendim i momentit të fundit dhe i pakoordinuar mirë.

I ftohti polar që ka mbërthyer Europën nga Veriu në Jug mendohet të zgjasë deri të mërkurën. Bora ka paralizuar Stambollin, ndërsa “Turkish Airlines” njoftoi anulimin e 650 fluturimeve. Në Moskë, termometri shënoi 30 gradë nën zero. Acari e rriti në 55 numrin e të vdekurve prej të ftohtit në Poloni, që prej muajit nëntor. Dy prej 3 viktimave të Pragës ishin të pastrehë, por veçanërisht shqetësuese paraqitet situata për emigrantët në kampet e improvizuara në Ballkan.

Alarmin e jep UNHCR-ja, që kujton se me qindra refugjatë jetojnë nëpër tenda pa ngrohje në ishujt e Egjeut, ku më problematike mbetet gjendja në Samos. Në Greqi, nga i ftohti mësohet të ketë ndërruar jetë një i ri me origjinë afgane.

Top Channel