“Golden Globes”, Meryl Streep thumbon presidentin Trump

09/01/2017 00:00

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Globi i Artë”, triumfi i “La La Land” ishte i parashikuar. Filmi i Damien Chazelle mori 7 çmime, ndër të cilët dhe atë të muzikalit më të mirë dhe aktorëve më të mirë protagonistë në një komedi, të rrëmbyera nga Ryan Gosling dhe Emma Stone.

Në edicionin e 74-t të vlerësimeve prestigjioze për kinemane dhe televizonin, juria i njohu plotësisht meritat e Chazelle, duke i dhënë çmimin e regjisorit më të mirë. Filmi i tij u vlerësua edhe si ai me skenarin më të mirë.

Ceremonia, e mbushur me batuta dhe shpoti për presidentin e zgjedhur Donald Trump, u mbajt në “Beverly Hilton Hotel” të Beverly Hills. Aktorët më të mirë në kategorinë e filmit dramatik u shpallën Isabelle Huppert e Casey Affleck.

Meryl Streep u nderua me çmimin e karrierës dhe, gjatë fjalës së mbajtur kur mori statuetën, aktorja veterane thumboi fort edhe Trumpin, ndonëse pa e përmendur me emër.

“Mungesës së respektit duhet t’i përgjigjesh me mungesë respekti. Hollivudi është bërë e vazhdon të bëhet nga të huajt. Shikoni vendet e lindjes së shumë prej aktorëve në sallë. Nëse do t’i largonim të gjithë ata që nuk janë amerikanë, nuk do të na mbetej të shihnim gjë tjetër veç futbollit dhe arteve marciale”, tha Meryl Streep.

Presidenti i zgjedhur iu përgjigj kritikave me një mesazh në “Twitter”. “Meryl Streep, njëra prej aktoreve më të mbivlerësuara të Hollivudit, nuk më njeh, por më sulmoi në mbrëmjen e Golden Globes. Ajo është një lajkatare e Hillary, që humbi rëndë në zgjedhje”, ishte komenti i Trumpit.

Shfaqja u drejtua nga aktori komik, njëkohësisht moderator televiziv Jimmy Fallon, i cili rrëfeu se i janë dashur 3 muaj për të përgatitur hapjen e tij. Kohë që, mesa duket, nuk ishte çuar dëm nëse gjykohet nga reagimi i të ftuarve në plate: të gjithë dukeshin se po argëtoheshin pa masë. Filmi më i mirë dramatik u shpall “Moonlight”, ndërsa ai më i mirë në gjuhë të huaj ishte francezi “Elle”.

Çmimet “Globi i Artë” që nderojnë arritjet më të mira kinematografike dhe televizive, shihen gjerësisht si parathënie e çmimeve të mëdha “Oscar”.

Top Channel