Shkëlqimi i “Golden Globe”

09/01/2017 00:00

Aktori Casey Affleck e rrëmbeu vëmendjen në fillimin e ceremonisë së çmimeve “Globi i Artë” të dielën, kur u shfaq me një mjekër të gjatë dhe flokët e kapur pas koke, një pamje që – siç tha, – edhe atë vet e kishte vënë në siklet.

“Përjetova ndjesinë që mund të ketë njeriu kur e zë lija në ditën e dasmës, – tha Affleck. – Nuk ishte ndonjë pamje kushedi se çfarë”.

Yjet femra, që shndërrinin nën vezullimin e argjendit dhe ngjyrave të forta të ndezura, dominuan tapetin e kuq. Natalie Portman e mbuloi shtatzëninë e saj me një fustan të verdhë të prerë, si për vitet ’60, një reflektim ndoshta ky i rolit të suksesshëm të ish-Zonjës së Parë, Jacqueline Kennedy, në filmin “Jackie”.

Ylli i “La La Land”, Emma Stone mbante një fustan në rozë të zbehtë me yje të argjendta nga Valentino, edhe ky një homazh për këngën kryesore të muzikalit, që u vlerësua lart edhe nga juria, “City of Stars”.

Protagonistja e “Loving”, Ruth Negga erdhi me një pamje futuriste falë fustanit metalik të Louis Vuitton. Nicole Kidman kishte zgjedhur një fustan të derdhur e të zbukuruar me qëndisma në ngjyrë argjendi të Alexander McQueen.

Në të njëjtat tone ishte fustani i Dreë Barrymore, krijim i stilistes Monique Lhuillier. Në tapetin e kuq mund të gjeje shumë prej elementëve kryesorë të koleksioneve Pranverë-Verë 2017. Brie Larson u prezantua me një fustan “Rodarte”, Jessica Chastain mbante “Prada”, preferenca e aktores Hailee Steinfeld ishte “Vera Wang”, ndërsa Janelle Monae e përçau kritikën me fustanin bardhezi të Armanit.

Ceremonia e mbajtur në “The Beverly Hilton”, në Los Angeles, nderon filmat më të mirë të vitit, që përzgjidhen nga Shoqata e Shtypit të Huaj Hollivudian. Nominimet janë të ndara në zhanre dhe ky event shihet si një lloj parashikimi për atë që do të ndodhë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oscar, në muajin shkurt.

FOTO GALERI
1/31
Drew Barrymor tregon trupin e saj me një fustan të viteve `20

Top Channel