Brazil, viktima të tjera për shkak të luftës mes bandave nëpër burgje

09/01/2017 00:00

Katër vetë janë vrarë në një burg në qytetin brazilian Manaus, në një tjetër seri përleshjesh mes bandave rivale. Tre prej viktimave në burgun “Vidal Pessoa”, në qendër të qytetit, u ishte prerë koka.

Burgu ishte rihapur për të mbajtur të burgosurit e një tjetër institucioni, ku 56 të burgosur u vranë gjatë një përleshjeje javën e shkuar. Zyrtarët thonë se dhuna në burgjet e vendit është pjesë e luftës mes bandave rivale për trafikun e drogës.

Dhuna është përhapur edhe në burgjet e tjera. Në shtetin Roraima, 33 vetë u vranë në përleshje të premten. Ato që janë vënë përballë janë bandat më të mëdha të lëndëve narkotike në Brazil, që 6 muaj më parë duket se i dhanë fund dy dekadave bashkëpunim jo shumë të lehtë.

Banda më e madhe dhe më e fuqishme, me bazë në Sao Paulo, u nda nga banda e Rio de Janeiros kur vendosi të merrte vetë kontrollin e trajektoreve të trafikut në juglindje të vendit. Pjesëtarë të kësaj bande ishin në shënjestër të rebelimit të parë të dhunshëm në një burg të dielën e shkuar, në periferi të Manausit.

Numri i viktimave, 56, e bën atë rebelimin më të dhunshëm në Brazil për dekada të tëra. Pesë ditë më pas, 33 vetë u vranë në burgun shtetëror të Riraimas, nga ana e bandës së Sao Paulos.

Qeveria, deri më tani ka preferuar të transferojë krerët e bandave dhe anëtarët e tyre në burgje larg territoreve të tyre operative. Por ekspertët argumentojnë se, kjo masë ka pasur pak efekt dhe kanë kërkuar për një program shpenzimesh kapitale, që do të zbuste mbipopullimin e burgjeve dhe kushtet e rënda të tyre.

Top Channel