Sulmi në Jeruzalem, autori dyshohet të ishte simpatizant i ISIS

09/01/2017 00:00

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Natanyahu tha se të gjitha shenjat tregojnë se, njeriu që vrau 4 ushtarë në Izrael ishte një mbështetës i të ashtuquajturit Shtet Islamik. Por, ai nuk dha asnjë provë që e mbështeste këtë pretendim.

Një takim urgjent i kabinetit izraelit të Sigurisë miratoi, ndërkohë, burgosjen pa gjyq të simpatizantëve të Shtetit Islamik. Palestinezi, që u qëllua për vdekje më pas, përplasi një kamion mbi një grup ushtarësh.

Tri femra dhe një burrë, rreth të 20-ave, mbetën të vrarë në sulm dhe 17 të tjerë u plagosën. Agresori, i identifikuar si 28-vjeçari Fadi Qunbar, është nga lagjja palestineze “Jabel Mukaber” në Jeruzalemin Lindor, afër vendit të sulmit.

Pamjet e kamerave të sigurisë tregonin kamionin që përplasej me shpejtësi të madhe mbi ushtarët, para se të përmbysej mbi viktimat. Plot 9 vetë u arrestuan pas një aksioni në lagjen e agresorit, mes tyre 5 pjesëtarë të familjes.

Kryeministri Natanyahu vizitoi vendin e sulmit të dielën pasdite dhe tha se, mund të ketë një lidhje mes sulmeve terroriste të kohëve të fundit, nga ai në Francë, te Berlini dhe tani në Jeruzalem. Agresorët në Nicë dhe Berlin, vitin e kaluar, përdorën të njëjtën metodë, atë të përplasjes së një kamioni mbi turmat.

Sipas zyrtarëve izraelitë, ka gjasa që edhe 28-vjeçari palestinez të jetë frymëzuar nga sulmi i muajit të kaluar në Berlin.

Top Channel