Kukësi mposhtet nga turqit e Basaksehir

08/01/2016 00:00

Kukësi humbi miqësoren e parë të luajtur në Antalya të Turqisë ndaj Basaksehir me rezultatin 3-1.

Përballë kryesuesve të Superligës turke, ekipi kampion i dimrit në Shqipëri bëri një paraqitje të mirë. Formacioni turk i bëri një nisje shumë të mirë takimit teksa shënoi dy gola të shpejtë në minutat e para, me Irfan Kan dhe Holmen që dyfishoi shifrat në të 19-tën.

Kukësi megjithatë u përgjigj 7 minuta më pas me Pero Pejicin, që shkurtoi diferencën. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në të 86-tën kur ishte zëvendësuesi Mosoro që realizoi dhe golin e 3-1. Ndërkohë trajneri Gjoka i kontaktuar nga Top Channel pavarësisht humbjes shprehet i kënaqur me sinjalet e marra.

Për herë të parë përballet kundër ish-skuadrës së tij edhe Sokol Cikalleshi, dikur pjesë e Kukësit dhe sot sulmuesi i Bashakshehir, skuadrës pretendente kryesore për titullin në kampionatin turk.

Në të njëjtën ditë, të dielën edhe kampionët në fuqi të Skëndërbeut kanë zhvilluar një ndeshje miqësore me Bursasportin, me të cilët barazuan 0-0. Një rezultat që duhet konsideruar si pozitiv duke parë që përball kishin skuadrën e vendit të 6-të në SUperligën Turke, megjithatë Daja ka të tjera synime.

Skëndërbeu që ka në dispozicion Daja duket se do të ndryshojë dhe me merkaton e dimrit, sipas trajneri të ri të kampionëve, titulli i shtatë radhazi shndërrohet detyrim më të madh.

Top Channel