Streha për të pastrehët; 4 qëndra ofrojnë ndihmë në Tiranë

08/01/2017 00:00

Strehimi i të pastrehëve mbetet objektivi i bashkisë së Tiranës në këto ditë të ftohta dimri. 4 qendrat e mobilizuara për të ofruar ndihmë në kryeqytet vazhdojnë të strehojnë qytetarët në nevojë.

Më në fund edhe të pamundurit kanë një shtrat ku flenë dhe pjatë gjelle të ngrohtë për t’i bërë ball temperaturave të ulëta

“Më e keqja ka kaluar. I ftohti i këtyre ditëve ka kaluar. Rastet më të këqija kanë qenë i ftohti i këtyre ditëve. Kemi pasur mbi 150 persona të strehuar në qendrat sociale. Dua të falënderoj restorantet që kanë gatuar, të gjithë dyqanet, të gjithë kompanitë që janë ofruar me veshmbathjet, për ata që janë ofruar me batanije, me tesha. E vlerësoj jashtë mase, sepse treguam se pavarësisht se jemi bërë një qytet i madh, e kemi ruajtur intimitetin që ka një familje për t’iu gjendur njëri-tjetrit në nevojë”, u shpreh kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se një rol të rëndësishëm në menaxhimin e kësaj situate ka luajtur edhe Shërbimi Zjarrfikës në këtë institucion, që i është përgjigjur në kohë reale të gjitha emergjencave dhe thirrjeve të qytetarëve për ndihmë, jo vetëm në rast zjarri.

Top Channel