Rastet e zjarrit, zjarrfikësit në gatishmëri

08/01/2017 00:00

Tirana ka 6 stacione zjarrfikëse, të cilat mbulojnë të gjithë territorin e Bashkisë, por ngarkesën më të madhe e ka stacioni i qendrës, në të cilën është e vendosur dhe salla operacionale.

Për Drejtorin e Zjarrfikëseve të Tiranës, Shkëlqim Goxhaj, të gjitha strukturat janë në gatishmëri që përpara Vitit të Ri, gatishmëri kjo që vijon dhe pas emergjencës së shpallur për shkak të temperaturave të ulëta. Por cilat janë rastet më të shpeshta të zjarreve në kryeqytet?

“Janë energjia dhe gazi i lëngshëm, gjë për të cilën u bëjmë thirrje qytetarëve që të bëjnë një kujdes të veçantë”, u shpreh Shkëlqim Goxhaj, Drejtor i Zjarrfikëseve Tiranë.

Shpesh herë ky shërbim akuzohet se nuk mbërrin në kohë në vendngjarje, e për të testuar këtë, kërkuam zhvillimin e dy testeve. I pari në stacionin e Institutit Bujqësor, e më pas në  stacionin e Kombinatit.

Mjetet e zjarrfikëseve dalin në një kohë rekord nga stacioni, por serish të shumta janë ankesat për vonesën e  mbërritjes në destinacion dhe kryesisht gjatë ditës. Por zjarrfikësit shpjegojnë arsyet dhe u drejtojnë një apel edhe qytetarëve.

“Informacioni që japin tek numri 128 të jetë një rrugë dhe një objekt i njohur. Në mënyrë që ne të arrijmë sa më shpejt. Zona e bllokut, rruga që lidh Rrugën e Kavajës me Myslym Shyrin janë më të vështirat. Ajo çfarë e bën më të vështirë punën tonë është edhe parkimi vend pavend nga qytetarët”, u shpreh Arben Cara – Komandat i Zjarrfikëseve.

Zjarrfikëset u nisën për në fshatin Tagan, njësia administrative Petrelë. Fatmirësisht në këtë rast, banorët kishin arritur të diktonin në kohë tymin, i cili kishte ardhur si pasojë djegies së pajisjeve elektrike për shkak të luhatjes së tensionit.

Të përballur me situata, të cilat i rrezikojnë jetën për të shpëtuar atë të të tjerëve, zjarrfikësit, ndoshta janë njerëzit të cilët marrin më pak falënderime, e më shumë kritika, në shumicën e rasteve, jo për fajin e tyre.

Top Channel