Gripi, 10 persona në gjendje të rëndë

08/01/2016 00:00

Situata e gripit mbetet problematike, por mjekët e Institutit të Shëndetit Publik thonë për Top Channel se në dy ditët e fundit vërehet një ulje e ndjeshme e numrit të vizitave apo të shtrimeve në të gjitha spitalet e vendit.

Zyrtarisht konfirmohet se deri më tani në gjendje të rëndë shëndetësore janë 10 persona, 3 prej të cilëve të shtruar në reanimacionin e spitalit të mushkërive “Shefqet Ndroqi” dhe 2 në reanimacionin e Spitalit të Vlorës.

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP sqaron për Top Channel se janë regjistruar 2 persona të vdekur, por asnjëri prej tyre nuk ka qenë i prekur nga gripi. Ata kanë qenë mbi 60-vjeç dhe kanë humbur jetën si pasojë e prekjes nga pneumonia.

Nga Elbasani, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, tha se si qendrat shëndetësore edhe spitalet janë në gatishmëri edhe ditën e shtunë dhe të diele.

“Situata vazhdon të jetë problematike, ende intensiteti i sëmundjes është i lartë, edhe pse dy ditët e fundit jemi përpjekur që të administrojmë me një bashkëpunim midis spitaleve dhe qendrave shëndetësore. Sot është e diele megjithatë i gjithë kujdesi shëndetësor parësor në qytetet kryesore të vendit është në shërbim të vizitave për të qenë më pranë qytetarëve, por edhe për të ulur sado pak ngarkesën që kanë spitalet tona”, tha Beqaj.

Top Channel