Policia i “ndal” gjobat. Më shumë këshillime për të shmangur aksidentet

08/01/2016 00:00

Ndihmë për drejtuesit e mjeteve dhe jo ndëshkim i tyre. Policia e qarkullimit rrugor ka orientuar patrullat në rrugë të mos gjobisin, por të këshillojnë duke normalizuar situatën.

“Ka qenë e fokusuar në këshillimin e gjithë drejtuesve të automjeteve që të zbatojnë normat e sjelljes dhe dispozitave të kodit rrugor si dhe të përdorin zinxhirë. Përsa i përket drejtuesve të automjeteve të cilët nuk kanë patur zinxhirë nuk janë lejuar të qarkullojnë në këto segmente. Shërbimet e policisë rrugore janë 24 orë në ditë duke i ofruar ndihmë gjithë drejtuesve të automjeteve”, deklaroi Ardi Veliu, drejtor i Policisë Rrugore.

Për kreun e Policisë Rrugore këshillimet kanë ndihmuar në parandalimin e aksidenteve, por ai vlerëson edhe drejtuesit e mjeteve.

“Gjatë këtyre ditëve ka patur karamboleve të mjeteve me dëme materiale, por nuk ka pasur aksidente me pasoja fatale. Prezenca e shërbimeve të Policisë Rrugore ka qenë e kudo ndodhur në këto akse, por fatmirësisht edhe drejtuesit e automjeteve i janë bindur këshillave dhe porosive të dhëna nga patrullat e policisë në terren dhe nga thirrjet e bëra nga mediat”, vijoi Veliu.

Përdorimi i celularëve në drejtim dhe parakalimet do të ndëshkohen, ndaj Veliu i bën thirrje drejtuesve të respektojnë rregullat e qarkullimit.
 
“Njëkohësisht duhet të zbatojnë normat e sjelljes duke mos përdorur celularin, duke qenë të vëmendshëm në manovrën e drejtuesit të automjetit dhe duke vendosur edhe mjetet e fiksimit”, tha Veliu.
 
Aktualisht të gjitha akset nacionale të vendit janë të kalueshme.

Top Channel