Muriqan, kapen me 20 kg marijuanë. 3 vetë në pranga

08/01/2016 00:00

Shërbimet e Policisë Kufitare të Shkodrës kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të 3 personave në pikëkalimin e Muriqanit, të cilët u kapën me 20 kg marijuanë.

Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me specialistët e hetimit kundër lëndëve narkotike, teksa iu vunë prangat shtetasve Edmond Mulgeci, 57 vjeç nga Tirana, si dhe Dugagjin Lyta dhe Ekrem Burovci, që të dy nga Kosova dhe respektivisht 48 vjeç e 34 vjeç.

Gjatë ushtimit të kontrollit ndaj autobusit të linjës Kosovë-Gjermani, me targa 07 183 CE, i cili drejtohej nga Ekrem Burovci, kishte shofer të dytë Dugagjin Lytën dhe menaxher Edmond Mulgecin, janë gjetur dhe bllokuar në cilësinë e provës materiale 20 kg lëndë narkotike e dyshuar marijuanë. Pasagjerëve të autobusit u është kërkuar të zbresin secili me çantat e tyre, ndërkohë që u gjetën dy çanta pa pronar, brenda të cilave ishte fshehur lënda narkotike.

Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë për Krimet e Rënda në Tiranë, teksa të arrestuarit akuzohen për “trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim”.

Top Channel