MTI: Akset kombëtare, të hapura. Ngrica në verilindje dhe juglindje

08/01/2016 00:00

Një komunikatë mbi gjendjen e kalueshmërisë së akseve kryesore kombëtare ka dhënë edhe Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës mesditën e kësaj të diele. Sipas asaj që bëhet e ditur, vihet re se në akset kombëtare nuk ka asnjë problem kalueshmërie, duke qenë të gjitha të hapura. Megjithatë, kudo ku ka prani ngricash këshillohet përdorimi i zinxhirëve, e sigurisht në të gjitha akset e prekura nga moti i ftohtë i ditëve të fundit të zbatohet sinjalistika rrugore.

Sa u përket akseve sipas qarqeve, në Tiranë dhe Durrës nuk ka segmente të bllokuara, ndërsa në Krujë ka prani ngricash në rrugë. Në Qafë Shtamë, qarkullimi rekomandohet me zinxhirë. Në Elbasan, Qafë Thana raportohet të jetë pastruar përgjithësisht, ndërsa është hedhur kripë për shkak të ngricave, por kalohet pa zinxhirë. Në aksin Elbasan-Gjinar duhen përdorur zinxhirët, sikurse edhe në aksin Lunik-Steblevë dhe atë Fushë Studë-Steblevë.

Në Berat, situata e qarkullimit është normale në të gjitha akset, duke mos pasur asnjë problem. Në Vlorë, Llogoraja është pastruar dhe kriposur, qarkullimi zhvillohet normalisht. Në akset e tjera s’ka probleme të qenësishme, përveç kujdesit që duhet shfaqur në vendet ku ka ngrica.

Gjirokastra paraqet gjithashtu një situatë normale në të gjitha akset, përfshi Qafën e Muzinës. Në Korçë, aksi që të lidh me Kapshticën dhe ai Pogradec-Qafë Thanë rekomandohet lëvizja me zinxhirë, sikurse edhe në Pogradec-Korçë, pasi këtu ka vështirësi në zonën e Qafë Plloçës.

Në Fier, qarkullimi është normal kudo. Në Lezhë gjithashtu, përfshi aksin Rrëshen-Tuneli i Thirrës, ku qarkullimi bëhet normal në të katërta korsitë. Në segmentet Shpal-Reps dhe Rubik-Rrëshen lëvizet me zinxhirë.

Në Kukës dhe në Dibër situata është pak më e rënduar. Aksi Bajram Curri-Valbonë kalohet me zinxhirë, edhe pse është i hapur dhe i pastruar. Ura e Bujanit- Qafë Morinë, Sopot-Kërn-Tropojë, qarkullimi rekomandohet me zinxhirë. Në aksin Bajram Curri-Kam po ashtu. Në aksin Tuneli Kalimashit-Dogana Morinë, qarkullimi rekomandohet me zinxhirë, sikurse Kukës-Bushtricë, K/Domaj-Reç. Aksi Kukës-Ura e Zapodit dhe Krumë-Qafë Prush, Plepa-Kam (në Qafë Prush), qarkullimi kryhet me zinxhirë. Të gjithë kontraktorët janë në gadishmëri me mjete dhe fuqi punëtore.
 
Në Peshkopi ka prezencë të ngricave, qarkullimi rekomandohet me zinxhirë. Më konkretisht në akset Peshkopi – Qafë Drajë, Qafë Bualli – Peshkopi – Maqellarë – Bllatë, Ura – Komsi – Ulëz – Ura e Matit, segmenti Bazë – Burrel, Ura e Qytezës – Zerqan, Ura e Cerenecit – Steblevë, Qafë Bualli – Krastë.

Në Shkodër, me zinxhirë rekomandohet lëvizja në akset Laç – Vau i Dejës – Fushë Arrëz, Q.Qelë – Pukë- F. Arrëz., K/Hadroj – Qafë Benë – Rrëshen. Në aksin Hani i Hotit – Tamarë nuk ka probleme, qarkullimi pjeserisht me zinxhirë. Aksi Fushë Arrëz – Nyja Fushë Dukagjin është i hapur. Në segmentin Kukës – Shën Mëri qarkullimi kryhet me zinxhirë. Aksi Qafë Mali – Fierzë është i hapur, qarkullimi kryhet me zinxhirë. Në aksin Koplik – Dedaj kalimi rekomandohet me zinxhirë. Segmentet  Q.Qele-Gomsiqe, Gomsiqe-Pukë 4, Pukë –Fushë Arrëz, qarkullimi rekomandohet  me zinxhirë, sikurse në segmentin Qafë Qelë – Pukë- Fushë Arrëz.

Top Channel