NBA, fitojnë Oklahoma dhe San Antonio

08/01/2016 00:00

Oklahoma Thunder City vazhdion t’i falet Russell Westbrook në kampionatin e NBA-së. Skuadra teksane mundi në sfidën e saj të radhës Denverin 121-106, ku Westbrook regjistroi sërish statistika mbresëlënëse; 32 pikë të shënuara, 17 topa në tabelë dhe 11 asiste.

Oklahoma e kontrolloi këtë sfidë ndaj Nuggets, e cila u përpoq që t’i rezistonte me 24 pikët e Chandler. Por në fund, e gjithë kjo për skuadrën nga Colorado mbeti vetëm një tentativë, pasi tashmë Denveri e sheh veten të shënojë humbjen e pestë radhazi, e për më tepër me të paktën 120 pikë të pësuara.

Fitore shënoi edhe San Antonio Spurs në “AT&T Center” me rezultatin 102-85. Ndeshja ishte e rivalizuar në të dy periodat e para, që u mbyllën me avantazhin e Charlotte 50-47. Diferenca në parket u bë pas pushimit të ndeshjes, me San Antonion që mori frenat e lojës në dorë duke i mbyllur dy periodat e tjera 55-35 dhe krejt ndeshjen 102-85. Për të besuarit e Gregg Popovich ra në sy paraqitja mjaft e mirë e të riut Bertans, që shënoi 21 pikë, ndërkohë që Leonard e mbylli ndeshjen me 19 pikë.

Në ndeshjet e tjera të NBA-së, Chicago mposhti Toronton 123-118 falë Jimmy Butler që shënoi 42 pikë; Indiana fitoi ndaj New Yorkut 123-109; ndërsa Boston mundi New Orleans 117-108. Fitore shënuan edhe Atlanta e Utah, që kaluan respektivisht Dallasin dhe Minnesotën, ndërkohë që sfida mes Portland e Detroit u shty për shkak të motit të keq në Oregon.

Top Channel