Franca, jo më pak e cënueshme se SHBA. Le Drian: Masa kundër sulmeve kibernetike

08/01/2016 00:00

Franca nuk është më pak e cënueshme sesa Shtetet e Bashkuara nga sulmet kibernetike të vendeve të huaja, ndaj dhe ushtria franceze do të bëjë gjithçka për të forcuar burimet për t’u mbrojtur nga ato. Kështu është shprehur gjatë kësaj të diele ministri francez i Mbrojtjes.

Në një intervistë për të përjavshmen franceze “Le Journal du Dimanche”, ministri i Mbrojtjes Jean-Yves Le Drian tha se ekziston me të vërtetë rreziku për sulme kibernetike ndaj infrastrukturës civile franceze, përfshi këtu furnizimin me ujë, elektricitetin, telekomunikacionin dhe transportin, sikurse edhe kundër demokracisë franceze dhe medieve.

Agjencitë amerikane të Shërbimeve Sekrete thanë përmes një raporti të publikuar të premten se, presidenti rus Vladimir Putin kishte urdhëruar një fushatë sulmesh kibernetike për të ndihmuar republikanin Donald Trump të zgjidhej president, duke diskredituar demokraten Hillary Clinton gjatë fushatës presidenciale të nëntorit 2016.

I pyetur nëse Franca kishte imunitet përballë të tilla sulmesh, Le Drian u shpreh shkurt dhe prerë: Jo, sigurisht që jo. Nuk duhet të jemi naivë.

Franca pritet të zhvillojë zgjedhjet presidenciale në prill dhe maj, ndërsa pretendenti kryesor mes konservatorëve, Francois Fillon është shprehur se dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet me Rusinë, duke marrë kështu lëvdata nga Putin. Edhe kandidatja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen është në favor të marrëdhënieve më të ngushta me Rusinë.

Marrëdhëniet franko-ruse janë përkeqësuar që prej aneksimit nga Moska të gadishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014, por edhe prej rolit të Rusisë në luftën civile të Sirisë. Presidenti socialist në largim, François Hollande ka anuluar shitjen e anijeve luftarake për Rusinë, ndërsa ka luajtur një rol kyç në vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës për shkak të Krimesë.

Le Drian tha se, nëse puna ka shkuar deri aty sa të manipulohen zgjedhjet amerikane, siç pretendohet, kjo do të ishte një ndërhyrje e patolerueshme, pasi të ndikosh në procesin zgjedhor të një vendi nënkupton sulm ndaj themeleve demokratike dhe sovranitetit të atij vendi.

Top Channel