Irak, autobomba vret të paktën 11 vetë. ISIS merr përgjegjësinë

08/01/2016 00:00

Një automjet bombë i shpërthyer pranë një tregu në lindje të Bagdadit ka lënë të vdekur të paktën 11 persona dhe të plagosur me dhjetëra të tjerë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme irakiane, Saad Maan është cituar të ketë thënë se një roje sigurie kishte hapur zjarr ndaj një automjeti të dyshimtë, por drejtuesi kamikaz i mjetit arriti të aktivizonte eksplozivin.

Shteti Islamik mori menjëherë përgjegjësinë e këtij sulmi përmes një deklarate në faqen e tyre të lajmeve në internet, “Amaq”. Ky është i fundit i një serie sulmesh që kanë pasur si shënjestër periferitë e Bagdadit të populluara nga myslimanët shiitë. Një sulm i ngjashëm u krye më 2 janar, kur mbetën të vdekur 35 persona.

Sulmi i fundit ndodhi në një treg kryesisht perimesh në periferinë Sadr të qytetit, me shumicë myslimanësh shiitë. Që kur grupi xhihadist është vënë nën presion të vazhdueshëm e në rritje nga forcat qeveritare në zonat e tyre të kontrollit, në veri dhe perëndim të Irakut, sulme të tilla me bomba nga ISIS kanë pësuar rritje.

Forcat speciale të Irakut dhe milici aleate shiite janë përpjekur së fundi të zmbrapsin ISIS-in nga bastioni i tyre i fundit, qyteti verior i Mosulit. Ata kanë hyrë në zonat lindore të qytetit që prej nëntorit, por avancimi i tyre drejt qendrës së qytet është penguar deri më tani nga ISIS.

Grupi xhihadist ka shënjestruar edhe zonat e populluara nga shiitët, për shkak se i konsiderojnë ata si mosbesues.

Top Channel