Grabiti autoblindën në Kinë, kapet pas 21 vjetësh

07/01/2016 00:00

Pas më shumë se dy dekadash në arrati, i dyshuari i fundit për grabitjen më të madhe të një kamioni të blinduar në Kinë, ra në duart e policisë.

Autoritetet e qytetit Guangzhou mundën që të arrestojnë të dyshuarin Chen Xunmin thuajse 22 vjet pas krimit.

Chen kishte ndryshuar emrin dhe pamjen përmes disa operacioneve plastike, por nuk mundi që t’i shpëtojë policisë. Më 22 dhjetor 1995, 7 persona të armatosur mes të cilëve edhe Chen, sulmuan dhe grabitën një makinë të blinduar para një banke në qytetin Guanzhou dheu larguan më 15 milion juan, ose rreth 2,5 milion dollarë.

Askush nuk mbeti i vrarë apo i plagosur gjatë grabitjes, por ajo pati një impakt të madh tek forcat e policisë meqë ishte grabitja më e madhe e kryer ndonjëherë. Madje, një televizion kinez krijoi një seri televizive të bazuar në këtë grabitje.

Autoritete kineze në atë kohë angazhuan 3500 policë për të kërkuar të dyshuarit dhe krijuan një forcë prej 400 hetuesish që të merreshin vetëm me këtë çështje.

Me kalimin e viteve, ndërsa shumë prej hetuesve ndërronin pozicion apo dilnin në pensionim, vetëm Chen mbetej në arrati. Autoritetet kineze nuk dhanë detaje se si mundën që ta gjejnë atë pas kaq shumë vitesh, por thanë se disa prej oficerëve që vazhdonin të ishin pjesë e task forcës që prej fillimit, thuajse 22 vjet më parë, kishin meritën për këtë arritje.

Top Channel