Sulmi në Florida, mediat: Agresori me probleme mendore

07/01/2016 00:00

Hetuesit amerikanë vazhdojnë hetimet për të zbuluar shkakun e sulmit në aeroportin e Floridës, ndërsa shtohen gjithnjë e më shumë të dhënat se agresori kishte probleme mendore.

I dyshuari për vrasjet, 26-vjeçari Esteban Santiago është në duart e policisë dhe po merret në pyetje, ku sipas mediave amerikane deklaroi se dëgjonte zëra dhe se mendja e tij kontrollohej nga qeveria, e cila e kishte detyruar të shihte video me përmbajtje xhihadiste.

Po sipas mediave, vëllai i të dyshuarit deklaroi se së fundmi Santiago kishte marrë trajtim psikologjik. Santiago, ish anëtar i gardës kombëtare të Puerto Rikos dhe Alasakës, kishte shërbyer në Irak nga prilli i 2010-s deri më shkurt 2011. Raportohet se ai u shkarkua nga garda kombëtare e Alaskës për performancë të pakënaqshme.

Të afërm të tij deklaruan për mediat se ai u kthye i ndryshuar nga lufta dhe se kishte vizione, ndërsa së fundmi kishte shkëputur lidhjet me një pjesë të familjes.

Santiago mbërriti në aeroportin e Floridës nga Alaska dhe kishte deklaruar armën që e mbante brenda valixhes së tij, të zbrazur dhe me fishekët në një kontenitor të veçantë, sipas rregullave të përcaktuara nga autoritetet. Dëshmitarë okularë thanë se pasi mori valixhen e tij në terminalin 2 bashkë me pasagjerët e tjerë, Santiago hyri në banjo, ku duket se përgatiti armën dhe më pas doli nga aty duke qëlluar ndaj kujtdo që i shfaqej përpara. Santiago vrau 5 persona dhe plagosi 8 të tjerë dhe ju dorëzua policisë pasi mbaroi municionet që kishte me vete.

Top Channel