Pakti i shqiptarëve, Meta: Pozitiv për marrëdhëniet ndëretnike

07/01/2016 00:00

Angazhimi i përbashkët i partive politike shqiptare në Republikën e Maqedonisë dhe angazhimi i tyre për të ndërtuar një platformë të përbashkët politike është përshëndetur edhe nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë.

Ilir Meta thotë se fryma e kësaj marrëveshjeje është një ogur i mirë që tregon për përgjegjshmërinë në rritje të faktorit politik shqiptar ndaj çështjeve me rëndësi kombëtare e rajonale. Ai beson se kjo marrëveshje do të ndikojë pozitivisht edhe në marrëdhëniet ndëretnike në Republikën e Maqedonisë.

Kryetari i Kuvendit Meta është i bindur se ky akt i rëndësishëm politik është një gur i rëndësishëm për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Kryetari Meta inkurajon Partitë Politike shqiptare në Republikën e Maqedonisë të respektojnë dhe të zbatojnë seriozisht këtë marrëveshje, të rëndësishme jo vetëm për shqiptarët e Maqedonisë, por për të gjithë faktorin shqiptar në rajon dhe për të ardhmen e tij euroatlantike.

Më herët, nënkryetari Luan Rama përshëndeti marrëveshjen në fjalë, duke inkurajuar faktorin shqiptar që të punojë për të përmbushur angazhimet e marra përsipër.

“LSI përshëndet faktorin politik shqiptar në Maqedoni për qëndrimin e unifikuar dhe bashkimin në një platformë të qartë e vizionare për rolin e tyre dhe përgjegjësinë që duhet të përmbushin, në funksion të mbrojtjes së të drejtave legjitime të shqiptarëve në Maqedoni”, tha Rama.

Top Channel