PD, Ristani: Kompanitë e lidhura me qeverinë nuk pastrojnë rrugët

07/01/2017 00:00

Deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani ka denoncuar në një deklaratë për mediat abuzimet që sipas tij po kryen qeveria në dëm të qytetarëve të prekur nga moti i keq.

Sipas Ristanit, emergjenca nga moti i acartë përveç se ka konfirmuar paaftësinë e qeverisë për t’u përballur me realitetin, ka nxjerrë në pah edhe një skandal.

“Shumica e kompanive për mirëmbajtjen e rrugëve, që janë të deputetëve të maxhorancës dhe qeveritarëve, kanë marrë paratë, por këto dy ditë nuk janë shfaqur asnjë minutë, as për të hedhur një lopatë me kripë apo skorje. Në krye të këtij skandali është firma e deputetit Sadri Abazi, regjistruar në emër të nipit, e cila në segmentin Koplik-Bogë-Qafë Thore dhe Koplik-Razem-Hani Hotit-Tamarë-Vermosh, jo vetëm nuk ka nxjerrë asnjë punonjës në rrugë, por s’denjon as t’u hapë telefonin drejtuesve vendorë”, ka thënë Ristani.

Ai ka theksuar se, e njëjta situatë është edhe në zona të tjera.

“Ndërkohë, disa kompani mirëmbajtjeje të cilat kanë kryer detyrimet e tyre kontraktuale nuk kanë marrë asnjë qindarkë pagese dhe në disa raste, si në aksin Milot-Peshkopi, u janë ndërprerë kontratat pa asnjë kriter dhe ua kanë rilidhur vetëm për një muaj në momentet e nisjes së emergjencës”, ka thënë Ristani.

Ai ka shtuar se, ky abuzim në kurriz të qytetarëve në këto ditë të vështira meriton një hetim serioz nga prokuroria.

Top Channel