“Tango” e Dajtit, Gjykata e Krimeve të Renda nuk ka më gjyqtarë

07/01/2017 00:00

I pandehuri Dritan Dajti duket se e ka kapur mat drejtësinë, e cila që prej vitit 2009 nuk ia ka dalë ende mbanë të shprehet me një vendim të formës së prerë për të.

Me katër burgime të përjetshme për vrasjen e 4 efektivëve të policisë, Gjykata e Lartë ktheu dosjen për rigjykim në Apelin e Krimeve të Rënda.

Por prej muajsh shkalla e dytë nuk po formon dot trupën gjyqësore që do të gjykojë këtë dosje, që shënoi rekord me 300 seanca të shtyra për shkak të mungesës së avokatëve.

Në Apelin e Krimeve të Rënda, të 11 gjyqtarët janë konsumuar gjatë kërkesave të shpeshta të të pandehurit, që nga masa e sigurisë deri tek loja juridike për sigurimin e një mbrojtësi nga shteti.

Megjithë odisenë 8-vjeçare në fund të së cilës ekziston vetëm një vendim i shkallës së parë që e konsideron Dajtin fajtor, vendimi për të duket ende larg.

Kjo, pasi edhe Apeli i është drejtuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë më datë 22 nëntor për të gjetur gjyqtarë që do ta gjykojnë atë në shkallën e dytë. I kontaktuar nga Top Channel, zëdhënësi i KLD, Elis Kuçi tha:

“Lidhur me këtë gjykim, kjo do të jetë tek delegimi që do miratohet nga KLD në mbledhjen e radhës. Asnjëherë kërkesat për delegim gjyqtarësh nuk janë vonuar nga KLD dhe kurdoherë janë miratuar në mbledhjen më të afërt. Në rastin konkret kërkesa ka ardhur më 22 nëntor, ndërsa mbledhja e fundit është bërë më 18 nëntor. Mbledhja e radhës nuk është përcaktuar ende dhe nuk ka një datë në këtë moment që flasim”.

Por burime jo zyrtare shpjegojnë se edhe vetë KLD ndodhet në ngërç për arsye të tjera. Shkak është bërë një padi e dorëzuar nga Unioni i Gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese, ku kërkohet pezullimi i ligjit “për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

Një ndër pikat e këtij ligji për të cilin kërkohet interpretim kushtetues ka pikërisht lidhje me heqjen e kompetencave për emërimin dhe transferimin e gjyqtarëve nga KLD, ndërkohë që Kushtetuta thotë shprehimisht se, KLD-së i përkasin këto kompetenca deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

E ndërsa është përcaktuar si rend dite për mbledhjen e radhës çështja e delegimit të gjyqtarëve në dosjen “Dajti” dhe emërimi i 10 magjistratëve, se kur do të jetë kjo mbledhje duket se varet nga Dhoma e Këshillimit të Gjykatës Kushtetuese.

Top Channel