Hetim pastrimit të rrugëve, Autoriteti Rrugor: Kemi nisur verifikimet

07/01/2017 00:00

Pas thirrjeve publike që drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi i bëri prokurorisë për të hetuar kompanitë e mirëmbjatjes së rrugëve në zonën e Shkodrës, ka reaguar Autoriteti Rrugor.

“Jam njohur dje me një shkresë të drejtorit të Emergjencave Civile dhe kam urdhëruar një gurp pune për të bërë verifikime. Bëhet fjalë për 4 akse në veri të vendit, ku pas informacioneve që do të vijnë nga ky grup do të shohim çfarë procedurash do të ndjekim”, deklaron Dashamir Xhika, drejtor i ARRSH-së.

Por, sipas kreut të ARRSH, nga inspektimet në terren nuk rezulton në asnjë rast që kompanitë e mirëmbjatjes të kenë shkelur kontratën.

“Në çdo aks që kemi shkuar kanë qenë në gatishmëri kontraktorët e firmave të mirëmbajtjes, me borëpastruese dhe sasinë e kripës”, thotë Xhika.

Sipas tij, një dëshmi për këtë është edhe normalizimi i situatës në të gjitha rrugët kombëtare. “Edhe aksi i fundit, Qafë Mali-Fierzë është zhbllokuar sot në orët e para të mëngjesit. Të gjitha akset janë në funksion të plotë”, shton Xhika.

Por ndryshe nga akset kombëtare, rrugët rurale mbeten të bllokuara në disa zona, ku sipas Xhikës më problematike janë ato në zonën e Pukës, Dibrës, Kukësit dhe një pjesë e Shkodrës.

Top Channel