Stërbleva e bllokuar, rruga Librazhd-Peshkopi e pakalueshme

07/01/2017 00:00

Stërbleva, njësia më e largët administrative e Bashkisë së Librazhdit vazhdon të jetë e bllokuar nga bora, trashësia e së cilës arrin në 60 cm.

Temperaturat shënojnë minus 15 gradë dhe atje akulli ka mbuluar çdo gjë. Aktualisht po punohet për hapjen e rrugës, një aks ky i rëndësishëm që lidh Librazhdin me Peshkopinë.

“Në gjithë Bashkinë Librazhd rrugët janë të zhbllokuara, bëhet fjalë për dy fshatra ekstremisht të largët që janë të bllokuar, Stërblevë dhe Qarrishtë, në të cilët aktualisht po punohet”, deklaron kryebashkiaku Kastriot Gurra.

Ndërkohë, akset e tjera rrugore në Librazhd janë të kalueshme vetëm me zinxhirë dhe paraqesin vështirësi për shkak të ngricave. Fshati Qarrishtë vazhdon të jetë i bllokuar.

Në Elbasan, rruga drejt Gjinarit dhe Zavalinës është e kalueshme me zinxhirë.  Rruga Elbasan-Funar po ashtu kalohet me zinxhirë.

E njëjta situatë është në Gramsh, në akset Gramsh-Kukur, Gramsh-Porocan dhe Gramsh-Lenije. Tre fshatra të njësisë Lenije janë të bllokuara.

Në Prrenjas ka prani të madhe akulli, temperatura shënon -15 dhe të bllokuara janë Rrajca dhe Sopoti.

Top Channel