Gripi mbush spitalet në Korçë e Dibër

07/01/2017 00:00

Sanatoriumi i Korçës është mbushur plot me të moshuar që kanë probleme të rënda edhe për shkak të motit dhe gripit.

“Po përballemi me dy emergjenca, gripi dhe kushtet atmosferike që janë përkeqësuar këtu në Korçë që prej ditës së djeshme”, deklaron Edlira Bode, drejtore e Spitalit Rajonal të Korçës.

Të paktën 30 persona në ditë,  kryesisht të moshuar, u drejtohen mjekëve pneumologë dhe një pjesë e tyre paraqesin edhe gjendje më të rënduara që kanë të domosdoshëm shtrimin në spital.

Në Dibër numri i personave që kërkojnë ndihmë është edhe më i madh. Nga fillimi i vitit, 300 persona u paraqitën para mjekëve pneumologë.

“Nga ora 8 deri në 11 kemi vizituar 18 vetë me grip, por edhe të sëmurë me komplikacione si bronko pneumoni”, thotë mjeku Ibrahim Kazai.

“Ne i kemi marrë masat që përpara. Për të sëmurët nga zona të thella kemi autoambulancat që janë në gatishmëri, kemi 2 makina në dispozicion”, thotë Beqir Biçi, drejtor i spitalit të Peshkopisë.

Dy autoambulanca janë në punë çdo ditë në këtë zonë për transportin e të sëmurëve rëndë nga Dibra në Tiranë, por jo nga rruga nacionale por duke kaluar në Dibër të Madhe në Maqedoni, ku rrugët kalohen pa zinxhirë.

Top Channel