Energjia, OSHEE vijon riparimin e dëmeve; probleme në fshatra

07/01/2017 00:00

Energjia elektrike vazhdon të mungojë në disa zona të vendit si pasojë e motit të keq.

Në komunikimin e fundit me mediat, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë ka bërë të ditur se aktualisht kanë mbetur 9 fidera për t’u riparuar, ndërsa ka shtuar se, problematike mbeten kryesisht zonat periferike të qarqeve të vendit.

Kështu, në Tiranë energjia mungon pjesërisht në zonat Tufinë, Paskuqan, Sauk, Zall-Bastar dhe Misto Mame. Në Durrës është pa energji pjesa perëndimore që përfshin Spitallën, Golemin dhe Kavajën.

Në Elbasan, pa energji janë zonat Lunik, Kodovajt dhe Labinot, ndërsa në Berat s’ka elektricitet në Potom të Skraparit dhe Roshnik. Në Fier mungon pjesërisht energjia në Dukas dhe Pojan, ndërsa në Korçë pa energji zonat Buçimas dhe Velçan.

Problematikë e ngjashme shfaqet edhe në Zagori të Gjirokastrës, ndërkohë që në veri të vendit pa drita janë Shëgjini, Qelëza dhe Kelmendi, të qarkut Shkodër.

Ndërsa në rajonin e Kukësit, pjesërisht pa drita janë zonat Cernaleve, Zaje, Domaj, Lekbibaj, Kam, Helshan, Dobrunë, Cahan e Surroj.

Zonat Zajse, Fushë Gjormë, Bardhaj, Fan, Shupenzë dhe Laç janë zonat e prekura nga mungesa e energjisë në rajonin e Burrelit.

Top Channel