Kosovë, bora bllokon disa komuna

07/01/2017 00:00

Është veshtirësuar dukshëm situata e qarkullimit rrugor në rajonin e Prizrenit, pas reshjeve të dendura të borës. Më e vështirë është gjendja në rrugën Prizren-Prevallë, ku era e fortë dhe reshtjet po shkaktojnë rrëshqitje të borës, duke bërë që për disa orë kjo rrugë të jetë e bllokuar.

Këto ditë, Prevalla ka qenë e mbushur me turistë, ndërsa pronarët e bizneseve private ngrejnë shqetësimin e tyre për gjendjen e krijuar në rrugë.

E rëndë paraqitet situata edhe në rrugën Prizren-Dragash. Qarkullimi i automjeteve nuk mund të bëhet pa zinxhirë. Sipas burimeve të policisë, të gjitha fshatrat e komunës së Dragashit janë të bllokuara nga bora, ndërsa po përballen edhe me mungesën e energjisë elektrike. Në Komunën e Dragashit dhe në Prevallë rrugët janë të kalueshme me vështirësi. Kompanitë kontraktuese janë në terren dhe po mundohen të vënë nën kontroll situatën.

Reshjet e borës u rikthyen në rajonin e Prizrenit në orët e para të mëngjesit. I gjithë Rrafshi i Dukagjinit u përfshi nga dëbora e dendur që arriti deri në 20 cm dhe në lartësi më të mëdha i kaloi 30 cm.
Menaxheri rajonal i mirembajtjes së rrugëve, Ferid Tafallari thotë se situata është nën kontroll, por drejtuesit e automjeteve duhet të tregojnë kujdes dhe të përdorin zinxhirët.

Ndërkaq, në autostradën “Ibrahim Rugova” gjendja është relativisht e mirë. Pajisjet dimërore dhe gomat e dimrit janë të domosdoshme për të qarkulluar normalisht.

Top Channel