Të krishterët ortodoksë rusë i shënuan Krishtlindjet e tyre me mesha të posaçme në kishat dhe katedralet anembanë Rusisë. Mesha e kësaj dite nis në orët e vona të 6 janarit e, siç e do tradita, zgjat deri në mëngjesin e datës 7.

Kreu i Kishës Ortodokse Ruse, patriarku Kiril drejtoi meshën në Katedralen e Krishtit Shpëtimtar të kryeqytetit, ku morën pjesë me qindra besimtarë, ndërsa në radhë të parë brenda kishës ishte ulur kryeministri Dmitry Medvedev me të shoqen Svetlana.

Presidenti Vladimir Putin zgjodhi të ishte i pranishëm në një tjetër shërbesë, atë të manastirit të qyteti antik të Novgorodit, 550 km në veri të Moskës. Sipas raporteve në shtypin vendas, pranë Presidentit ishin ulur disa peshkatarë të zonës, të cilët Putini i takoi vitin e kaluar gjatë një udhëtimi me varkë në liqenin Ilmen.

Besimtarët ortodoksë në Rusi i nisin kremtimet e Krishtlindjeve me meshën e mesnatës e pastaj i vazhdojnë në shtëpi ditën tjetër, ku shtrojnë tryeza të bollshme e shpërndajnë dhurata. Krishtlindjet në këtë vend festohen saktësisht 13 ditë pas atyre katolike. Rusët, gjeorgjianët ortodoksë, serbët dhe kishat në Jeruzalem e manastiret në malin Atos e shënojnë këtë festë në bazë të kalendarit Julian.

Në fillim të shekullit XX, Kisha Ortodokse Ruse vendosi të qëndrojë me këtë kalendar, ndërsa shumica e të krishterëve të tjerë respektojnë atë gregorian. Pas revolucionit të vitit 1917, Krishtlindjet u ndaluan në Rusi dhe njerëzit filluan t’i kremtonin sërish vetëm në vazhdën e shembjes së Bashkimit Sovjetik.

Top Channel