Veliaj: Në qendrat sociale kemi strehuar 135 persona

07/01/2017 00:00

Më shumë se 135 persona, një pjesë e të cilëve janë fëmijë, e kanë kaluar natën në qendrat sociale të Bashkisë Tiranë, ku veç strehimit kanë marrë dhe ndihmën e nevojshme në ushqime dhe veshmbathje, duke i bërë kështu ballë të ftohtit të acartë që ka prekur edhe Tiranën.

Kryebashkiaku Erion Veliaj falenderoi shërbimet sociale, por edhe të gjithë ata qytetarë dhe biznese që i janë përgjigjur thirrjes për t’i ardhur në ndihmë individëve që në këto ditë të ftohta janë në nevojë.

“Ka qenë një punë e admirueshme nga të gjithë qytetarët. Unë besoj se Tirana nuk është qyteti më i mirë se ka më shumë para apo ka më shumë infrastrukturë, por sepse ka më shumë solidaritet. Ndaj dua të falenderoj të gjithë ata që kanë kontribuar me veshmbathje, qytetarë të thjeshtë që kanë trokitur te dera e fqinjit për t’u siguruar që fqinji i moshuar është në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk ka pasur probleme gjatë natës. Dua t’i falenderoj me gjithë zemër, ky është padyshim qyteti më solidar”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës. Ai gjithashtu vlerësoi angazhimin e të gjitha strukturave shtetërore që kanë bërë të mundur që këtë emergjencë deri më tani ta përballojnë me sukses.

“E vlerësoj faktin që kemi pasur zjarrfikësen në dispozicion dhe në gatishmëri absolute. Gjatë natës kemi pasur disa raste hipotermie, kryesisht qytetare të moshuara që jetojnë vetëm, por falë ndërhyrjes së komshinjve, kanë shpëtuar jetë njerëzish. Besoj që të gjithë bashkë në Tiranë, me këtë lloj solidariteti, kemi shpëtuar 135 jetë njerëzish, që sot strehohen në qendrat tona sociale, por që deri dje ishin në gjendje të pastrehë, në situatë rruge”, shtoi Veliaj. Ai kërkoi edhe një herë bashkëpunimin e qytetarëve, sidomos atyre që kanë familjarë në gjendje rruge, që në këto ditë të ftohta të tregohen më njerëzor dhe t’i ndihmojnë për të shmangur çdo fatkeqësi, pasi nata e sotme parashikohet që të jetë edhe më e ftohtë.

Top Channel