Fiks Fare: Kërkimet për flori rrezikojnë fshatin në Librazhd

06/01/2017 00:00

Kërkimet pa kriter për hekur nikel dhe flori rrezikojnë zhdukjen e një fshati të tërë në Librazhd. Dhjetëra banorë të fshatit Vulçan, në Njësinë Administrative Hotolisht, u ankuan në emisionin investigativ Fiks Fare se një firmë që kërkon në sipërfaqe hekur nikel dhe flori shkakton ndotje mjedisore, ka dëmtuar pronat, të mbjellat, gjithçka që ata kanë.

Para pak muajsh, një ekip i Fiksit shkoi në këtë fshat, ku pamja e parë që u ndeshën ishin dhjetëra automjete të tonazhit të rëndë që përshkuanin rrugën e shtruar me kalldrëm, duke shkaktuar ndotje të madhe.

Disa banorë të fshatit Vulçan thanë se firma u ka dëmtuar gjithçka. “Zona nëse ecën me këto gërmime do të jetë e pabanuar” thonë njëzëri, ndërsa shtojnë se firma kërkon në sipërfaqe edhe flori. “Kemi dëgjuar se zona ka flori, po nuk e dimë se ku shkon” pohojnë ata.

Nga ana tjetër, kryeplaku ankohet se firma po u dëmton gjithçka, ndërsa tregon se para pak vitesh në zonë është ulur një helikopter, ku prej atij mjeti ka zbritur zonja Argita Berisha, vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Fiksi shkoi edhe në vendin e gërmimeve, i cili nuk ngjason me një minierë, pasi kërkimet po realizoheshin në rreth 20 hektarë Disa ekskavatorë gërmonin deri në një thellësi prej 50-60 metrash.

Një prej punëtorëve i tha Fiksit se punojnë edhe me dinamit, i cili vendoset nga inxhinierët. “Firma ka punësuar banorë të zonës, ata që kanë shtëpitë afër kësaj miniere. Ne do e bëjmë zonën siç ka qenë. Dherat do të formojnë malin sërish” thotë një prej banorëve. Fiksi e pyet se çfarë kërkojnë në këtë zonë, ndërsa ai përgjigjet se hekur nikel. Pyetjes nëse ka flori në zonë, punëtori përgjigjet me sinqeritet se “Atë e marrin ata lart!”.

Fiks Fare kontaktoi edhe me zotin Rexhep Elmasllari, përfaqësues i firmës Platinium ALB, që administron minierën në Vulçan. Ai thotë se banorët ankohen kot, pasi firma ka leje nga të gjitha institucionet. Elmasllari shton se në minierë janë punësuar edhe banorë të zonës, madje disa prej banorëve u ka dhënë para për zonën ku qëndronin automjetet e firmës.

Ekipi i Fiksit pyeti edhe në Bashkinë Librazhd. Nënkryetari Enver Shkurti thotë se ky është një problem i mbartur që nga koha kur zona administrohej nga komuna Hotolisht. Ai tha se bashkia do të inspektoj punimet, ndërsa pranoi se në zonë ka probleme.

Pas pretentimeve të banorëve, administratorit të firmës dhe nënkryetarit të bashkisë, gazetarët e Fiks Fare shkuan në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit. Kreu i këtij institucioni, Julian Beqiraj, thotë se problemi i ngritur prej banorëve nëpërmjet Fiksit do të inspektohet në terren. Sipas tij, firma Platinium ALB ka dy leje mjedisore, në vitin 2009 dhe 2016, ku i është rinovuar leja dhe kanë shtuar edhe zonën ku do të bëjnë kërkime.

Fiks Fare u interesua pranë Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve. Ky institucion, më datë 6 shtator 2016, doli në konkluzionin se subjekti nuk përmbush dhe nuk respekton lejen përkatëse të mjedisit. Inspektoriati e gjobiti firmën Platinium ALB me 500.000 mijë lekë dhe pezulloi plotësisht aktivitetin deri në plotësimin e kushteve. Firmës iu lanë disa kushte për tu plotësuar; të lagen me ujë inertet, të gjitha rrjedhjet ujore sipërfaqësore të sistemohen dhe mbetjet inerte të ruhen brenda zonës së shfrytëzimit. Klauzola ishte që, nëse mos zbatimi i këtyre kushteve dhe detyrimeve jua ngarkon me përgjegjësi administratorëve.

Megjithatë, banorët e zonës janë ankuar sërish pranë Fiks Fare se firma po punon në të njëjta kushte, pavarësisht vendosjes së gjobës dhe pezullimit të aktivitetit. Në ditët e para të vitit 2017, në redaksinë e Fiksit mbërriti një telefonatë nga zoti Xhevair Mnalla, banor në Vulçan. Ai tha se është ankuar se firma u ka shkatërruar gjithçka. “Kemi trokitur në të gjitha institucionet, por deri më tani nuk kemi marrë përgjigje” thotë banori. Gazetarët e pyesin se këtë çështje e kanë ndjekur para disa muajsh, madje Agjencia Kombëtare e Mjedisit e gjobiti firmën si dhe pezulloi punimet. Mnalla thotë se punimet vazhdojnë me të njëjta ritme, madje punimet po kryhen tashmë afër shtëpive.

Top Channel