Gara për kryqin, ortodoksët hidhen në ujë, sfidojnë të ftohtin

06/01/2017 00:00

Papa Françesku shënoi të premten Epifaninë, ditën kur Bibla thotë se tre mbretërit arritën në vendin ku Jezusi kish lindur, duke ndjekur një yll.

Duke lexuar lutjet nga dritarja e apartamentit papnor, ndërkohë që më herët kishte drejtuar meshën solemne të Epifanisë, Papa Françesku i ofroi rreth 35 mijë besimtarëve në sheshin e Shën Pjetrit, si dhuratë, nga një libër.

Rreth 300 persona të pastrehë dhe refugjatë, ishin ngarkuar për të shpërndarë librat dhe në këmbim merrnin nga një sanduiç apo pije. E ky, është xhesti më i fundit i liderit të 1.2 miliardë katolikëve të botës, në ndihmë të njerëzve në nevojë, vuajtja e të cilëve, ka qenë një kauzë e rëndësishme e papatit të tij.

Besimtarët grekë të premten morën pjesë në festimet e Epifanisë, një prej festave më të rëndësishme të besimit ortodoks grek, kur ata hidhen në det në përpjekje për të kapur kryqin e hedhur nga një prift.

Rituali i hedhjes së kryqit në ujë, kryhet thuajse në të gjithë vendin dhe përkujton pagëzimin e Jezu Krishtit në lumin Jordan. Në ato pjesë të vendit ku nuk ka det, kryqi hidhet në lumenj, liqene apo edhe shatërvanë.

Edhe ne qytetin turk të Stambollit, të krishterët ortodoksë, u zhytën në ujërat e akullta për të nxjerrë që andej kryqin e drunjtë. Si pjesë e një tradite që daton që nga kohët bizantine, patriarku greko-ortodoks Bartolomeu, hodhi kryqin në ujë dhe zhytësit e rinj nxituan ta kapnin atë.

Kapja e kryqit, besohet se sjell fat për vitin në vijim.

Top Channel