Vonesat e gjyqeve, gjobë deri në 50 mijë lekë prokurorëve e avokatëve

06/01/2017 00:00

Është fakt se dështimi i proceseve më së shumti vjen nga mungesa e avokatëve dhe më pas nga mungesa e prokurorit.

Por përmes një projektligji Ministria e Drejtësisë po tenton të gjejë një zgjidhje për t’i dhënë fund kësaj situate, duke ashpërsuar gjobat ndaj avokatit nga 10 mijë në 50 mijë lekë për çdo seancë ku ai bëhet shkaktar për zvarritjen e procesit.

Për herë të parë në propozimet për Kodin e Procedures Penale parashikohet të aplikohet i njëjti dënim financiar edhe për përfaqësuesin e akuzës.

Por kryetari i Shoqatës së Avokatëve penalistë e konsideron këtë ndryshim si diskriminues.

“Janë masa drastike që merren ndaj avokatëve apo prokurorëve, po gjyqtarin kush do ta ndëshkojë? Ndërkohë që një avokat mban fjalën mbrojtëse, ndërsa ai luan në internet duke penguar zhvillimin e seancës sepse nuk dëgjon as avokatin e as prokurorin dhe merr një vendim subjektiv. Gjyqtarin kush do ta ndëshkojë? Vetëm palët do ndëshkohen? Prandaj ne jemi kundër kësaj”, deklaron Sajmir Vishaj.

Në ndryshimet e propozuara gjoba ndaj tyre konsiderohet titull ekzekutiv dhe në çdo rast ky vendim i njoftohet Dhomës së Avokatëve, prokurorit të përgjithshëm dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Top Channel