Basha në familjen e Estref Halilit: Krim shtetëror, përgjegjës Rama

06/01/2017 00:00

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka qenë këtë të premte në Kolonjë të Lushnjes, ku ka ngushëlluar familjarët e 22-vjeçarit, Estref Halili, i cili vrau veten në qeli pasi u arrestua për një cigare hashash.

Në prononcimin për mediat, Basha ka akuzuar pushtetin e kryeministrit Rama, që sipas tij nuk arreston trafikantët e vërtetë por të rinj të rritur në varfëri, me mund e sakrifica nga prindërit e tyre, sikurse ishte rasti i Estrefit.

“Një djalë 22-vjeçar, i rritur me sakrificë nga prindërit e tij, i cili arrestohet për një krim të dyshuar, që në fakt konsumohet çdo ditë nga kryeministri, konsumatori më i njohur i kokainës në vend. E njëjta polici, e cila nuk guxon të ngrejë dorën për Klement Balilin, për trafikantët, i njëjti shtet që liron kriminelë të njohur si Lul Berisha, i merr jetën një 22-vjeçari. Kjo është një vrasje shtetërore. Politikisht, përgjegjësi i kësaj vrasjeje shtetërore është Edi Rama”, ka thënë Basha.

Duke i shprehur ngushëllimet familjes Halili, por edhe gjithë komunitetit të Kolonjës, Basha ka dhënë premtimin e tij se kjo padrejtësi e madhe do të marrë fund.

“Se shteti që dhunon njerëzit dhe mbron trafikantët dhe politikanët e lidhur me trafikantët do të marrë fund. Se Partia Demokratike dhe unë, me ndihmën e gjithë qytetarëve tanë do të ndërtojmë një shtet që është në krah të qytetarëve dhe në krah të të rinjve. Një shtet që nuk i shpall luftë të rinjve të pamundur e të papunë të rritur me shumë sakrifica si Estrefi, por që i ndihmon ata të kapërcejnë vështirësitë e jetës e të ndërtojnë një jetë të sigurtë, një të ardhme të sigurtë për veten dhe fëmijët e tyre”, ka thënë Basha.

Top Channel