Nasri rrezikon të dënohet 4 vjet

06/01/2017 00:00

Mesfushori francez Samir Nasri rrezikon të pezullohet deri në 4 vjet nëse do të shpallet fajtor nga Agjencia Botërore Antidoping për thyerjen e rregullave mbi përdorimin e substancave të ndaluara.

Futbollisti në pronësi të Manchester City-t, por që është huazuar te Sevilla, po hetohet nga autoritetet sportive spanjolle pas një terapie kontroverse intravenoze në një klinikë amerikane.

Në dhjetor të 2016, Nasri udhëtoi në Los Anxheles për një kurë që do ta ndihmonte në përmirësimin e gjendjes fizike dhe çështja nisi të marrë përmasa të mëdha kur vetë klinika dha detaje të trajtimit të futbollistit.

“E ndihmuam Samir Nasri me një mbrojtje të re imunitare që lehtëson hidratimin dhe shëndetin e tij në sezonin shumë të ngarkuar me Sevilla-n”.

Mjaftoi ky moment në rrjetet sociale të “Drip Doctors” që agjencitë antidoping të nisnin kontrollet nëse ishin shkelur rregullat apo jo. Në sajtin e klinikës thuhet se trajtimi përmes gjakut, ndihmon në sistemin imunitar me Vitamina C dhe B. Por rregullat e UADA nënvizojnë se për sportistët nuk lejohet trajtimi intravenoz, nëse kalon 50 mililitrat.

Në rastin e Samir Nasri, procedura kaloi 1 litër dhe kjo mund t’i sjellë një pezullim të gjatë futbollistit francez. Lojtari transalpin do të jetë i lirë të luajë në Champions muajin tjetër kur Sevilla të përballet me Leicester, por nëse antidopingu spanjoll e shpall fajtor, kjo do t’i kushtojë shumë.

Top Channel