Moti i keq, Tahiri inspekton tunelin e Kalimashit; Dervishaj në Dibër

06/01/2017 00:00

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka inspektuar pasditen e sotme situatën e krijuar si pasojë e motit të keq në tunelin e Kalimashit.

Ministri konfirmon se Rruga e Kombit është e kalueshme me zinxhirë. Ai tha se moti pritet të përkeqësohet në ditët në vijim, ndërsa i bën thirrje qytetarëve të shmangin sa më shumë lëvizjet.

“Jemi përballë ditëve shumë të acarta, por ajo që është e rëndësishme, është që të gjitha rrugët kombëtare, falë masave që kemi marrë, janë të lira dhe të kalueshme. Policia Rrugore është e gjitha në këmbë për t’u bërë thirrje të gjithë përdoruesve të rrugës, të mos kalojnë pa zinxhirë. Unë e gjej këtë rast për t’u bërë thirrje edhe njëherë të gjithë qytetarëve, veçanërisht zonës veriore, verilindore, juglindore, të mos përdorin rrugën, të kufizojnë në maksimum lëvizjet, vetëm atëherë kur është absolutisht e domosdoshme, veçanërisht gjatë natës”, tha ministri Tahiri.

Ndërkohë, ministri i Transporteve, Sokol Dervishaj ka inspektuar ndërhyrjen e strukturave shtetërore në disa zona në Dibër, të prekura nga moti i keq. Dervishaj ka deklaruar se, në Qafë Buall rruga është e kalueshme për automjetet.

“Drejtuesit e mjeteve duhet të kenë kujdes dhe të përdorin zinxhirët. Kemi marrë masat për përballimin e situatës”, ka thënë Dervishaj.

Top Channel