“Rruga e Kombit” me akull, lëvizje me zinxhirë në shumë akse nacionale

06/01/2017 00:00

Moti i keq me reshje dëbore dhe ngrica ka vështirësuar më shumë qarkullimin në rrugët nacionale dhe lokale në veri të vendit. Gjendje më e rënduar është në “Rrugën e Kombit”, ku trashësia e borës ka arritur në 70 centimetra. Lëvizja e mjeteve është e detyrueshme me zinxhirë. Po punohet me mjete borëpastruese dhe po hidhet kripë.

Në segmentin Kukës-Shën Mëri kalimi kryhet me një kalim, kurse në segmentin Shën Mëri-Fushë Arrëz rruga është e bllokuar. Qarkullimi kryhet me zinxhirë, me vështirësi.

Trashësia e borës në aksin Fushë Arrëz-Fushë Dukagjin arrin deri në 120 cm. Mjetet borëpastruese janë në punë, ndërsa rruga është e hapur. Në akset e tjera të Tropojës, trashësia e borës varion nga 50 deri në 100 centimetra, edhe këtu rekomandohet vendosja e zinxhirëve.

Në Peshkopi ka reshje bore me intensitet të lartë. Në aksin Qafë Bualli-Peshkopi-Maqellarë-Bllatë ka rreth 30 cm borë, e qarkullimi kryhet me zinxhirë. Po ashtu në akset e tjera të këtij qarku lëvizja është e rënduar për shkak të borës dhe ngricave.

Në qarkun e Shkodrës situata është problematike në Malësinë e Madhe, ku ka deri në 80 centimetra borë, por rrugët janë të hapura dhe kërkohet përdorimi i zinxhirëve.

Në aksin Elbasan- Qafë Thanë është bërë pastrimi i aksit dhe është hedhur kripë për shkak të ngricave. Qarkullimi kryhet pa zinxhirë. Në akset e Korçës dhe Pogradecit ka prani të borës dhe ngricave, kurse rrugët janë të hapura por rekomandohet qarkullimi me zinxhirë ose me goma dimërore.

Ndërkohë në Llogora është bërë pastrimi dhe kriposja e aksit. Qarkullimi është normal. Në të gjitha rastet, Ministria e Transporteve tërheq vëmendjen për respektmin e sinjalistikës.

Top Channel