Gripi, 10 në gjendje të rëndë. Sëmundja ka prekur 19 mijë persona

06/01/2017 00:00

Situata gripale në vend vazhdon të jetë problematike, e megjithatë institucionet përgjegjëse shtetërore thonë se gjithçka është nën kontroll.

Shifrat e fundit tregojnë se 10 persona janë në gjendje të rëndë për jetën, ndërsa është konfirmuar se 8 prej tyre janë prekur nga gripi AH3N2.

Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, 7 prej personave që janë prekur nga gripi dhe që ndodhen në gjendje të rëndë i përkasin moshës mbi 50 vjeç, ndërsa vetëm një prej tyre është 37 vjeç.

ISHP-ja bën me dije se kjo shifër nuk i përket vetëm Tiranës, por edhe rretheve të tjera të vendit, pra 8 pacientë me probleme të rënda shëndetësore në gjithë vendin. Mësohet se pacientët janë shtruar në sanatoriume dhe në pavijonet e Infektivit në kryeqytet dhe në qytetet e tjera.

Sa i takon mbylljes së shkollave, kopshteve dhe çerdheve, burime zyrtare në Ministrinë e Arsimit thonë se nuk ka ende një vendim të dytë. Nga ana tjetër, burime për Top Channel në shkolla dhe çerdhe thonë se do të hapin dyert në datën 16 janar, lajm që nuk është konfirmuar ende as nga Ministria e Shëndetësisë, as nga ajo e Arsimit.

Top Channel