Haradinaj: Takohemi shpejt në Kosovë. S’na trembin fletarrestet e Milosheviçit

06/01/2017 00:00

Ramush Haradinaj ka shfrytëzuar rrjetin social “Facebook” për të përcjellë mesazhin e tij të parë pas arrestimit. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që po mbahet në paraburgim në Francë, thotë se është për të ardhur keq që disa shtete respektojnë ende vendimet e ish-regjimit të Slobodan Milosheviçit, në një kohë kur vende të tjera si Gjermania apo Austria janë ndarë përfundimisht prej atij regjimi.

“Ne si popull e si individë nuk jemi trembur nga tanket e Milosheviçit, e lëre më nga fletarrestet e tij. Kam një porosi për miqtë e Serbisë, brenda dhe jashtë Kosovës: Rrugën e shtetit të Kosovës nuk do të mund ta ndalë askush”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social. “Nuk i kemi rënë në qafë askujt dhe nuk do të lejojmë të na bjerë në qafë askush! Do të takohemi shpejt në Kosovë”, vazhdon mesazhi i tij.

Më herët, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa shprehu shqetësimin e qeverisë lidhur me ndalimin e ish-drejtuesit të UÇK-së. Për Mustafën, mandatarresti i Haradinajt nuk ka motivim tjetër përveç atij politik.

“Ne presim që zoti Haradinaj të kthehet shumë shpejt në Kosovë, e po ashtu presim që edhe qeveria franceze të ketë parasysh se këto fletarreste janë tërësisht politike dhe nuk kanë asnjë bazë juridike e ligjore. Ndërkohë, qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë angazhimin e gjithanshëm, që aktakuzat e paligjshme, të padrejta dhe tendecioze të Serbisë ndaj personaliteteve kosovare të shpallen sa më parë të pavlefshme”, tha Mustafa.

Grupe protestuesish marshuan paqësisht nga monumenti i “Neë Born”-it deri përpara selisë së Ambasadës franceze në Prishtinë, me kërkesën për lirimin e kreut të AAK-së. Pas kësaj, ata lëvizën e u mblodhën përpara ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Disa orë më parë, anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi sqaroi se po diskutohet lirimi me kusht i Haradinajt. Ministria serbe e Drejtësisë njoftoi nga ana tjetër se do të kërkojë një afat sa më të shkurtër ekstradimi, e kësaj do t’i bashkëngjisë edhe dokumentacionin e përkthyer në frëngjisht.

Isufi, partia e të cilit në fillim kishte përkrahur dialogun me Serbinë, ka kërkuar ndalimin e dialogut me Beogradin. Arrestimi i Haradinajt, të akuzuar nga serbët krime lufte, e ka vështirësuar sipas anëtarit të AAK-së normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Top Channel