Dita e ujit të bekuar, ceremonia në Spanjë nën masa të larta sigurie

06/01/2017 00:00

Mes masash të rrepta sigurie, me mijëra të rritur dhe fëmijë të entuziazmuar u rreshtuan në të dy krahët e bulevardit kryesor të Madridit, për të parë duke kaluar plot pompozitet aktorët e veshur si 3 mbretërit biblikë, që udhëtuan për në Betlehem me dhurata për Jezu Krishtin.

Nga pluskueset shumëngjyrëshe, pjesëmarrësit e paradës u hodhën ëmbëlsira njerëzve që ndiqnin plot ngazëllim kremtimin e Epifanisë, dita kur Melkior, Baltazar dhe Kaspar vizituan Jezuin e porsalindur.

Tradicionalisht, në vigjiljen e Epifanisë, apo ditës së ujit të bekuar, parada të ngjashme zhvillohen në qytete dhe fshatra anembanë Spanjës. Në këtë vend ndodh shpesh që fëmijët të presin deri në 6 janar për të hapur dhuratat e tyre.

Sivjet, siguria u forcua ndjeshëm nga frika e ndonjë sulmi të ngjashëm me atë të Berlinit në muajin dhjetor. Për të parën herë, në Madrid u ngritën barriera në rrugë me qëllimin të shmangeshin incidente si ato të kryeqytetit gjerman dhe Nicës, ku agresorët në të dyja rastet i sulmuan me kamionë turmat e njerëzve të mbledhur për të festuar.

Automjeteve që peshonin mbi 3.500 kg iu ndalua hyrja përpara paradës në kryeqendrën e Spanjës e ky rregull mbeti në fuqi edhe pak pas përfundimit të saj.

Top Channel