SHBA identifikon agjentët rusë, Biden ironizon Trumpin: Duhet të rritesh

06/01/2017 00:00

Shtetet e Bashkuara kanë identifikuar agjentët rusë të përfshirë, sipas tyre, në vjedhjen e të dhënave përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, të fituara nga Donald Trump.

Agjentët, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë, pretendohet të kenë ndërhyrë në kompjuterat e Partise Demokrate dhe “e-mail”-et e nxjerra prej andej ia kanë dërguar “Wikileaks”-it. E gjithë kjo, sipas zyrtarëve amerikanë është bërë për të favorizuar Trumpin në zgjedhje.

Moska mohon kategorikisht çdo përfshirje dhe vet themeluesi i “Wikileaks”-it, Julian Assange këmbëngul se nuk është Moska burimi i informacioneve të saj.

Krerët e inteligjencës do ta njohin shumë shpejt Trumpin me raportin e hartuar mbi këtë çështje. Numri dy i administratës në largim, Joe Biden e thumboi presidentin e zgjedhur për fshikullimin e komunitetit të inteligjencës. “Duhet t’i ketë ikur mendja, – tha Biden, – që nuk ka besim tek agjencitë tona”.

“Rritu Donald, rritu. Është koha për të qenë i rritur tani. Je president dhe duhet të bësh diçka. Na trego sa vlen. Ti do të propozosh legjislacionin, neve do të na duhet ta diskutojmë. Lere publikun të vendosë. Leri ata të votojnë në Kongres dhe të shohim çfarë ndodh”, tha Joe Biden, zv.president i SHBA-ve.

Të enjten, krerët e inteligjencës amerikane dëshmuan përpara Komitetit të Forcave të Armatosura në Senat se ka prova të forta të ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e nëntorit, por sipas tyre nuk ka asnjë mënyrë për të treguar nëse ajo e ndihmoi Trumpin të fitonte.

Top Channel