Rusia ikën nga Siria, të parat largohen aeroplanmbajtëset

06/01/2017 00:00

Rusia ka nisur tërheqjen e forcave të saj nga Siria dhe i pari që do të largohet, sipas shefit të Forcave të Armatosura ruse do të jetë grupi i aeroplanmbajtëseve.

Njoftimi vjen pak ditë pasi Moska dhe Ankaraja negociuan armëpushimin sirian, që sipas Kombeve të Bashkuara po mban në masë të madhe. Për muaj të tërë, avionët bombardues rusë i kanë goditur ashpër nga ajri rebelët antiqeveritarë.

Përfshirja e Moskës në konfliktin e dhunshëm që gjunjëzoi Sirinë vishet me meritën e kthesës që mori lufta civile në favor të aleatit të Rusisë në rajon, presidentit Bashar al-Assad. Flotilja ruse e aeroplanmbajtëseve, e drejtuar nga ajo që konsiderohet si krenaria e saj, luftanija “Admirali Kuznetsov”, po përgatitet t’u largohet brigjeve siriane.

Vladimir Putin e kishte bërë të qartë në muajin dhjetor se është rënë dakord, që Rusia të nisë reduktimin e trupave të dërguara në Siri, sipas kushteve të pushimzjarrit të arritur mes grupeve opozitare siriane dhe regjimit të Assadit, me ndërmjetësimin e Moskës dhe të Turqisë.

Edhe marsin e kaluar, Rusia pati njoftuar një tërheqje të forcave të dislokuara në Siri, por sulmet e saj ajrore vazhduan me të njëjtin intensitet. “Grupi i aeroplanmbajtëseve e përmbushi misionin e tij”, deklaroi komandanti i forcave ruse në Siri, Andrei Kartapolov, i cili shtoi sidoqoftë se “Moska vazhdon të ketë në këtë vend kapacitete të mjaftueshme të mbrojtjes ajrore, falë sistemit të raketave S-300 dhe S-400, që ka dislokuar atje.

Top Channel