Baza e Inçirlikut, Turqia ngre pikëpyetje për bashkëpunimin me koalicionin anti-ISIS

05/01/2017 00:00

Zyrtarët turq kanë vënë në dyshim praninë e forcave të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në një prej bazave ajrore në jug të Turqisë, me justifikimin se po ofrohet një mbështetje e pamjaftueshme për operacionet ushtarake turke kundër Shtetit Islamik në Siri.

Zëdhënësi i presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, Ibrahim Kalin, gjithsesi tha gjatë së enjtes se nuk nevojitet të “nxitohemi për vlerësim” për Inçirlikun, një bazë ajrore e përdorur nga aleatët e NATO-s për të nisur sulmet ajrore kundër grupit xhihadist në Sirinë fqinje.

Megjithatë, ai ngriti pyetjen se përse Shtetet e Bashkuara, të cilat mbështesin disa prej grupeve kurde në luftën kundër Shtetit Islamik në Sirinë veriore, nuk kanë ofruar mbështetje ndaj operacionit të një vendi aleat të NATO-s, si Turqia, për të marrë nën kontroll qytetin sirian të al-Babit nga xhihadistët.

“Gjatë periudhës prej një muaji e gjysmë kemi parë dhe kemi kuptuar se kjo mbështetje nuk është dhënë në nivelin dhe efektivitetin e mjaftueshëm”, tha Kalin për rrjetin televiziv “Kanal 24”, duke bërë thirrje për mbështetje më të plotë dhe duke thënë se “justifikimet nuk janë të pranueshme”.

Turqia është irrituar nga politika e SHBA-ve në Siri, e jo më pak nga mbështetja e Uashingtonit për luftëtarët kurdë që Ankaraja i sheh si zgjatim të militantëve të PKK-së që luftojnë ndaj autoriteteve turke, një grup që si Turqia edhe Shtetet e Bashkuara e klasifikojnë si organizatë terroriste.

Kalin tha se shpren gjithsesi që administrata e presidentit të zgjedhur Donald Trump, i cili do të betohet më 20 janar si kreu i ri i Shtëpisë së Bardhë, do të përshtatet më shumë me ndjeshmëritë e Turqisë.

Edhe zv.kryeministri Veysi Kaynak tha se koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara e ka përdorur rrallë bazën e Inçirlikut për t’iu bashkuar operacioneve të ushtrisë turke apo ato të rebelëve sirianë të mbështetur prej amerikanëve, duke ngritur dyshime në mesin e popullsisë turke.

“Prania e tyre në Inçirlik po vihet në dyshim nga populli ynë dhe nga kombi ynë. Kjo çështje është tashmë në axhendën e qeverisë sonë”, tha ai për rrjetin televiziv “A Haber”.

Reagimi i Shteteve të Bashkuara nuk ka vonuar, gjithsesi, me Pentagonin që ka vlerësuar qasjen e siguruar nga Turqia në bazën e Inçirlikut dhe mezi pret që ky bashkëpunim të vazhdojë, pavarësisht pikëpyetjeve të ngritura nga zyrtarët turq.

“Ne jemi duke operuar nga baza e Inçirlikut dhe presim që kjo gjë të vazhdojë”, tha zëdhënësi i Pentagonit, Peter Cook. Ndërsa një ditë më parë, një zëdhënës i ushtrisë amerikane tha se Uashingtoni ishte në diskutime me Ankaranë mbi mbështetjen në të ardhmen për çështjen e al-Babit, që mbetet në qendër të fokusit të operacioneve turke.

Top Channel