“Jo arrest me burg pa prova”. Ligji i ri lehtëson zyrtarët nën akuzë

05/01/2017 00:00

Thelbi i reformës në drejtësi mbetet padyshim lufta ndaj korrupsionit. Por ndryshimet e propozuara së fundmi në kodin e procedurës penale duket se po lënë shtigje, të cilat do të përdoren si kartë nga avokatët në favor të zyrtarëve në mënyrë që ndaj tyre mos të vendoset masë arresti me burg gjatë kohës që janë nën hetim.

Përveç dyshimit të arsyeshëm aktualisht kodi i procedurës penale parashikon vendosjen e masës së sigurimit personal edhe kur vihet në rrezik marrja e provës, ekziston rreziku i largimit apo kur për shkak të personalitetit të të pandehurit ka rrezik që ai të kryejë krime të rënda.

Por këto tre paragrafë, sipas propozimeve të reja në kodin e procedurës penale ju shtohet kushti që të vërtetohen me prova dhe të çmohet qartë fakti se përse një masë tjetër më e lehtë është e papërshtatshme.

Shtimi i kësaj pike në nenin 228 shikohet si një formë lehtësuese për të dyshuarit për të cilët nuk kanë profil të rrezikshëm për shoqërinë sikurse një i akuzuar për vrasje, nuk largohen apo nuk ndërhyjnë në prova.

Natyrisht që ky propozim përfshin të gjitha kategoritë, por nëse këto ndryshime pranohen atëherë ata që mund të përfitojnë janë zyrtarët dhe funksionaret të cilët në interpretim të ligjit shikohen si të parrezikshëm.

Shembulli që hedh dritë mbi këtë ndryshim është rasti nën gjykim i gjyqtares së Gjykatës së Lartë Majlinda Andrea për të cilën u vendos masa e pezullimit nga detyra për dyshimet se mund të dëmtonte provat apo më herët masa e arrestit ndaj ish-guvernatorit Ardian Fullani mbi dyshimet se mund të dëmtonte provat dhe mund të largohej.

Në situata të tilla të ngjashme me ndryshimet e reja të propozuara Prokurorisë do t’i nevojitet të vërtetojë me prova dyshimet e saj.

Propozimet tolerante, sipas një burimi në Ministrinë e Drejtësisë, bëhen për të zhdukur një praktikë bolshevike ku për çdo të dyshuar kërkohet masë arresti gjatë kohës që është nën hetim.

Por një ndryshim i tillë të paktën do të sjellë shmangien e poshtërimit të zyrtarëve nën hetim.

Nuk vendoset arrest me burg

1. Ndaj një gruaje shtatzënë ose me fëmijë deri në 2 vjeç (me përjashtim të krimeve mbi 5 vjet burg)
2. Ndaj një personi në gjendje të rëndë shëndetësore
3 . Ndaj grave mbi 60 vjeç (me përjashtim të krimeve mbi 5 vjet burg)
4.  Ndaj burrave mbi 65 vjeç (me përjashtim të krimeve mbi 5 vjet burg)
5. Ndaj një personi toksikoman nën terapi
5. Ndaj një të alkoolizuari nën terapi

Top Channel