Spekulimet mbi Muhaxherin, Policia e Kosovës: Nuk gjendet në Kosovë

05/01/2017 00:00

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, përmes një komunikate për mediet ripërsërit faktin se, duke u mbështetur në informacionet e verifikuara operative, i dyshuari për aktivitete terroriste Lavdrim Muhaxheri nuk gjendet në territorin e Republikës së Kosovës.

Sipas policisë, sipas të gjitha informacioneve që posedohen në bashkëpunim me agjencitë e sigurisë dhe inteligjencës, si dhe informacionet nga partnerët ndërkombëtarë, Lavdrim Muhaxheri vazhdon të jetë ende në territorin e zonës së konfliktit në Siri apo Irak.

Sqarimi i Policisë së Kosovës vjen për shkak të informacioneve të medieve ndërkombëtare se Muhaxheri mund të gjendet në Kosovë.

Ja komunikata e plotë e Policisë së Kosovës:

Referuar disa shkrimeve ditëve të fundit nga mediet e ndryshme qofshin ato vendase apo ndërkombëtare, veçanërisht spekulimeve nga disa medie të Serbisë lidhur me vendndodhjen e të dyshuarit për terrorizëm Lavdrim Muhaxheri dhe deklarimeve të tyre se ai me rreth 400 luftëtarë të ISIS është kthyer në Kosovë dhe lëviz lirshëm, janë të pavërteta, dashakeqëse dhe tendencioze për të krijuar ndjenjë pasigurie në opinionin publik.
Policia e Kosovës shfrytëzon edhe njëherë rastin të sqarojë opinionin në mënyrë objektive duke u mbështetur në informacionet e verifikuara operative se informacionet e publikuara janë të pavërteta dhe se i dyshuari për aktivitete terroriste Lavdrim Muhaxheri nuk gjendet në territorin e Republikës së Kosovës.

Sipas të gjitha informacioneve që posedon Policia e Kosovës në bashkëpunim edhe me agjencitë e sigurisë dhe inteligjencës, si dhe informacionet nga partnerët ndërkombëtarë, Lavdrim Muhaxheri vazhdon të jetë ende në territorin e zonës së konfliktit në Siri apo Irak.


Duke vlerësuar ndjeshmërinë dhe rrezikshmërinë nga ekstremizmi i dhunshëm dhe terrorizmi, Policia e Kosovës prej disa vitesh është aktivisht e angazhuar me masat e saj operativo-hetimore për të trajtuar në kohë çdo dyshim të ngritur nga ky fenomen në nivel vendi, rajonal dhe global.


Po ashtu është i njohur fakti se Kosova është pjesë e koalicionit ndërkombëtar për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit dhe do të vazhdojë të jetë pjesë aktive e këtij koalicioni, gjë për të cilën Policia e Kosovës ka marrë edhe lëvdata nga agjenci dhe partnerë ndërkombëtarë për efikasitetitn e dëshmuar në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.


Policia e Kosovës, duke çmuar shumë lart kontributin e medieve vendase dhe ndërkombëtare, ofron çdoherë gatishmërinë për të bashkëpunuar në dhënien e informacioneve të verifikuara në kohë reale, për interes të publikut, për të gjitha çështjet me rëndësi, e veçanërisht ato që ndërlidhen me terrorizmin
”.

Top Channel