“Luftë” për Sebino Plakun

05/01/2017 00:00

Rikthimi i sulmuesit Sebino Plaku te skuadra e Skënderbeut ka sjellë polemika mes kampionëve në fuqi të Kategorisë Superiore, dhe Korabit, ekip me të cilin u aktivizua futbollisti deri në muajin Dhjetor.

31-vjeçari i lindur në Tiranë vendosi të largohet në merkaton e këtij dimri nga dibranët, për tu kthyer sërish me fanellën e Ujqërve të Dëborës, skuadër e cila zotëron kartonin e tij dhe e kishte huazuar te dibranët.

Ardhja e Ilir Dajës në pankinën e Skënderbeut duket se ka stimuluar Plakun për të shkuar te kampionët, me shpresën se do të ketë impakt në lojë, dhe trajneri i ri do ti besojë më shumë minuta për pjesën e dytë të sezonit. Por për Korabin nuk është kaq e thjeshtë.

Klubi dibran insiston se Sebino Plaku ka një kontratë me Korabin deri në fund të sezonit, dhe nuk mund të shkojë në asnjë ekip tjetër pa marrë më parë lejen. Drejtuesit e prisnin në përgatitjet për sezonin e ri por Plaku ishte prezent në stërvitjen e Skënderbeut.

Korabi ka bërë të ditur se çështja është ankimuar në Federatën shqiptare të Futbollit, pasi Plaku duhej të qëndronte i huazuar deri në qershor. Fjala tashmë me të gjitha gjasat, do t’i kalojë Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF.

Top Channel