Kosova i refuzon hyrjen presidentit serb Nikoliç

05/01/2017 00:00

Presidenti serb Tomislav Nikoliç nuk do ta vizitojë Kosovën, siç edhe kishte paralajmëruar, pasi siç raporton e përditshmja serbe “Vecerjnje Novosti” Prishtina zyrtare kishte lënë të presin për orë të tëra bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij në pikën e kalimit mes Kosovës dhe Serbisë.

Nikoliç kishte paralajmëruar disa ditë më parë vizitën e tij në Kosovë, por duket se në momentet e fundit ka ndërruar mendje.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka marrë një vendim për refuzumin e kërkesës së presidentit serb Tomislav Nikoliç dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të Qeverisë së Serbisë, të cilët do të vizitonin ditën e premte komunën e Shtërpcës në Kosovë.

Refuzimi vjen pas vonesës për të deponuar në kohë kërkesën për vizitë në Kosovë, ashtu siç parashikohet në marrëveshjen për lejimin e vizitave të zyrtarëve të lartë ndërmjet dy shteteve.

Qeveria e Kosovës konsideron se sjelljet e fundit të Serbisë dhe deklaratat e njëpasnjëshme janë kundër frymës së bashkëpunimit ndërshtetëror dhe arritjeve të dialogut për të ndërtuar ura të shëndosha bashkëpunimi mes dy shteteve dhe popujve.

Po ashtu, ato janë kundër interesit të qytetarëve serbë të Kosovës, të cilët kanë vendosur të jetojnë në këtë vend.

Top Channel